2009-09-07 17:06:42

Papa për Ditën Misionare Botërore: Kisha ekziston për të sjellë shëlbimin e Krishtit për të gjithë popujt


(12.09.2009 RV)“Kombet do të ecin në dritën e Tij”: ky është titulli i Mesazhit të Papës për Ditën Misionare Botërore, që Kisha do ta kremtojë të dielën, më 18 tetor. Misioni thelbësor i Kishës, pohon Benedikti XVI në mesazh, është t’u çojë popujve shëlbimin e Zotit përmes Birit të Tij të mishëruar. Kisha e misionit, vazhdon Ati i Shenjtë, duhet të ndjejë ankthin dhe pasionin për të ndriçuar popujt me dritën e Krishtit, për t’iu dhënë atyre shpresë.
Misioni i Kishës në botë ka njohur fitore të jashtëzakonshme, nënvizon Papa, por aktualisht duket sikur e ka humbur sensin e qëllimit të tij përfundimtar. Shërbimi i Kishës nuk është të plotësojë ato nevoja materiale e shpirtërore, që zgjasin sa zgjat jeta e njeriut mbi tokë, por të sjellë shëlbimin hyjnor, karakteristik për Mbretërinë e Hyjit. Është e vërtetë që Mbretëria e Hyjit nuk është e kësaj bote, shpjegon Papa, por ajo është e kësaj bote në formën e drejtësisë, paqes, lirisë së vërtetë dhe respektit për dinjitetin e çdo njeriu. Kisha synon ta shndërrojë botën me shpalljen e Ungjillit të dashurisë, që largon retë dhe errësirën e na jep guxim të jetojmë e veprojmë.
Papa kujton sa e sa misionarë e misionare, që e dëshmojnë dhe përpiqen ta ndërtojnë Mbretërinë e Zotit në gjendje persekutimi apo shtypjeje, e cila shkon nga diskriminimi shoqëror e deri tek burgu, torturat e vdekja. Kisha, shpjegon Benedikti XVI, nuk vepron sipas logjikës njerëzore ose asaj të forcës, por ndjek rrugën e Kryqit të Krishtit.
Papa i fton katolikët të mbështesin misionarët, misionaret dhe bashkësitë e krishtera të impenjuara në linjën e parë të frontit në këtë mision të vështirë dhe të japin një shenjë të besueshme bashkimi ndërmjet Kishave, përmes ndihmës ekonomike për Kishat më të varfëra.







All the contents on this site are copyrighted ©.