Papa ipeshkvijve brazilianë: Njerëzimi ka nevojë të shohë tek të krishterët atë që
nuk e sheh gjetiu, gëzimin dhe shpresën e Krishtit
(07.09.2009 RV)Të rinjtë e sotëm, që dëshirojnë të bëhen meshtarë, por janë
rritur në një klimë shekullarizimi, e cila ka infektuar edhe ndonjë ambient kishtar,
kanë nevojë të gjejnë edukatorë, që të jenë “vërtet njerëz të Zotit”. Kështu iu drejtua
sot paradite Benedikti XVI ipeshkvijve të zonës perëndimore të Brazilit, në vizitë
ad Limina, të cilët i priti në Pallatin Apostolik të Kastelgandolfos. Është i pari
nga 13 grupet, që do të vijnë në Vatikan për t’u takuar me Atin e Shenjtë e Kurien
Romake deri më 20 shtator 2010. Në një shtet të madh sa krejt Evropa, me distanca
të jashtëzakonshme, me një popullsi prej 200 milion banorësh, me etni të shumta e
me problemet e bashkëjetesës, integrimit e zhvillimit, që lidhen me to, të shumta
mund të jenë edhe argumentet për të bërë një analizë të realitetit brazilian. Benedikti
XVI filloi nga të rinjtë, në veçanti nga ata që do të rinovojnë Kishën në të ardhmen.
Papa reflektoi kështu për urgjencat e episkopatit të Brazilit, por edhe për disa probleme,
që duke minuar strukturën etike të shoqërisë, kushtëzojnë dhe pështjellojnë të rinjtë.
Papa pranoi se në Brazil, punëtorët e vreshtit të Zotit vazhdojnë të jenë pak, ndërsa
të korrat janë të mëdha: “Ka shumë që duket se e shkrijnë krejt jetën për një
minut, të tjerë që enden në mërzi e përtaci, ose e lënë veten në dorë të çdo lloj
dhune. Por në fund të fundit, ato nuk janë tjetër, veçse jetë të dëshpëruara në kërkim
të shpresës, siç shihet nga nevoja e madhe, nganjëherë e ngatërruar me kërkesat shpirtërore,
për pika të reja referimi në rrugën e jetës”. Nga Brazili, që sot kremton
ditën e pavarësisë nga Portugalia, Papa kujtoi pritjen e mrekullueshme që iu bë gjatë
udhëtimit të tij apostolik në këtë vend, në maj 2007. Por kritikoi ashpër prirjen
e disave, pas Koncilit II të Vatikanit, për ta interpretuar këtë koncil si kalim drejt
shekullarizimit, duke bërë hapa mbrapa në disa vlera të krishtera të patjetërsueshme,
si barazia, liria dhe solidariteti. Kisha e ka ndrequr shpesh veten më pas, por nuk
është folur sa duhet për disa të vërteta themelore të fesë si mëkati, Hiri Hyjnor,
jeta teologale, vdekja e gjykimi i mbramë, parrizi e ferri: “Pa vetëdije, shumë
bashkësi të krishtera ranë në auto-shekullarizim. Ato, duke shpresuar të kënaqnin
edhe ata që nuk vinin në kishë, bënë të largoheshin, të zhgënjyer e të pakënaqur,
shumë nga ata që vinin. Bashkëkohësit tanë, kur vijnë te ne, duan të shohin atë që
s’shihet në asnjë vend tjetër, gëzimin e shpresën që lindin nga fakti se ne jemi me
Zotin e Ringjallur”. Aktualisht, vazhdoi Papa kritikën e tij, një brez i ri
ka lindur tashmë në këtë klimë të shekullarizuar kishtare, e cila krijon jo pak kundërvënie
në fushën etike. Për këtë arësye, rinia ndjen etje për trashendencë, e duhen gjetur
ide të reja për t’i dhënë përgjigje kësaj kërkese. Ndër këta të rinj janë edhe ata
që trokasin në dyert e seminareve e pikërisht ata, theksoi Papa në përfundim: “Kanë
nevojë të gjejnë edukatorë, vërtet njerëz të Zotit, meshtarë që i kushtohen krejtësisht
formimit, që dëshmojnë dhurimin e vetvetes për Kishën përmes celibatit e jetës së
rregullt, sipas modelit të Krishtit, Bariut të Mirë. Kështu, këta të rinj mësojnë
të bëhen të ndjeshëm ndaj takimit me Hyjin në pjesëmarrjen e përditshme në Eukaristi,
mësojnë të duan heshtjen e lutjen, duke kërkuar së pari, lavdinë e Zotit e shpëtimin
e shpirtrave”.