2009-09-06 18:21:38

Mijëra vetë në Viterbo për Meshën e kryesuar nga Papa Benedikti XVI. Pasdite, vizita në Banjorexho


(06.09.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI ishte sot për vizitën e tij të 16-të baritore brenda territorit italian, në Viterbo e Banjorexho. Nga Qyteti i Papëve tek ai i Shën Bonaventurës: vizita i dha shkas Atit të Shenjtë të prekë Kishën e djeshme e atë të sotme, të inkurajojë banorët të shohin me guxim drejt së ardhmes e madje, të kujtojë edhe Luftën II Botërore, përmes përshëndetjes për Kongresin Ndërkombëtar “Njerëz e Fe”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, që ka filluar sot në Krakovi të Polonisë me temën “Fetë dhe kulturat në dialog”.
Papa mbërriti në Viterbo rreth orës 9, përshkoi me makinë qytetin dhe bekoi portat e reja të Duomos. Më pas i bëri një vizitë ipeshkvit të vendit, imzot Lorenco Kiarinelit dhe pa Sallën e Konklavës të Pallatit të Papëve, ku ndodhen varret e pesë papëve. Pas Meshës e Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI qëndroi në Shenjtëroren e Shën Rozës, për të nderuar trupin e saj të pakalbur, apo të pakorruptuar, dhe përshëndeti ata që e kanë mbajtur në krah Makinën e Shën Rozës, në ditën e procesionit kushtuar pajtores së Viterbos. Pasditja në Banjorexho u karakterizua nga një reflektim i nivelit të lartë mbi Shën Bonaventurën, shenjt i lindur pikërisht në këtë qytet, i cili citohet edhe nga Dante në Komedinë Hyjnore.
Por t’i kthehemi Meshës së Viterbos në sheshin Faul, pranë Pallatit të Papëve. Gjatë homelisë, tingëlloi i qartë që në fillim mesazhi i Papës: “Guxim, mos kini frikë!”. Duke komentuar Ungjillin e sotëm, Ati i Shenjtë vuri në pah rrezikun që vjen nga vetmia e egoizmi dhe i tregoi Kishës së Viterbos rrugën për të dalë nga amullia e nga frika e së nesërmes, për të cilën folën si ipeshkvi, ashtu edhe kryetari i bashkisë, në përshëndetjen drejtuar Benediktit XVI. Tri janë përparësitë, u tha atyre Papa Racinger: edukimi në fe, dëshmia e fesë dhe vëmendja ndaj shenjave që na dërgon Zoti. Ati i Shenjtë kujtoi rolin e rëndësishëm edukativ të Universitetit të Tushës dhe të Institutit Filozofiko-teologjik “Shën Pjetri”, po ashtu edhe figurën e Shën Roza Venerinit, shpallur shenjte prej tij tri vjet më parë, e cila punoi për shkollat femërore në Itali:
“Nga këto burime shpirtërore mund të frymëzohemi akoma për të përballuar, me qartësi dhe koherencë, përparësinë aktuale, të pashmangshme, të “emergjencës edukative”, sfidë e madhe për çdo bashkësi të krishterë e për krejt shoqërinë”.
Papa bëri thirrje për më shumë nisma vullnetariati, në ndihmë të më të varfërve e më të braktisurve, kërkoi më tepër solidaritet për familjen, gjëra për të cilat duhet të punojë politika e të drejtohet impenjimi shoqëror i njerëzve. Homelia përfundoi me një lutje të veçantë:
“Gjatë këtij Viti Meshtarak, lutuni me intensitet më të madh për meshtarët, për seminaristët e për vokacionet, që t’i qëndrojnë besnikë thirrjes së tyre! Shenjë e Zotit të gjallë duhet të jetë, gjithashtu, edhe çdo person i shuguruar e çdo i pagëzuar”.
Në momentin e kungimit, besimtarët e morën hosten e shuguruar nga duart e kardinalit vikar Agostino Valini, pasi Papa Benedikti XVI preferoi të mos e përdorë dorën e thyer në gusht. E më pas, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke falenderuar për mikpritjen, Papa u kërkoi besimtarëve të luten për të:
“Përforcoi në fe vëllezërit e tu”: këtë ftesë të Hyjit e ndjej që sot më drejtohet mua me intensitet të veçantë. Lutuni, të dashur vëllezër e motra, që ta kryej gjithnjë me besnikëri e dashuri misionin e Bariut të krejt grigjës së Krishtit”.
Një mendim i veçantë për pjesëmarrësit e Kongresit ndërkombëtar “Njerëz dhe fe”, që mbahet në Krakovi të Polonisë, me temën “Fetë e kulturat në dialog”, 70 vjet pas fillimit të Luftës II Botërore, e cila shkaktoi miliona viktima e vuajtje të patreguara për popullin polak. Një konflikt, ku u luajt tragjedia e Holokaustit dhe u shfarosën aradheve të pafajshme, theksoi Papa:
“Kujtimi i këtyre ngjarjeve të na shtyjë të lutemi për viktimat e për ata që akoma kanë plagë në trup e në shpirt; qoftë edhe paralajmërim për të gjithë, që të mos përsëriten barbarizma të tilla e që të shumëfishohen përpjekjet për të arritur, në kohën tonë, të shënuar akoma nga konflikte e kundërvënie, një paqe të qëndrueshme, duke u përçuar sidomos brezave të rinj, një kulturë e mënyrë jetese të karakterizuara nga dashuria, solidariteti dhe vlerësimi për tjetrin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.