2009-09-06 15:05:35

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës XXIII gjatë vitit kishtar 'B'


(06.9.2009 RV)Bëri të dëgjojnë të shurdhët dhe të flasin memecët

Leximi i parë Is 35, 4-7

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behi shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet, vendi i thatë burime! Në strofuj ku strukej çakalli, do të rritet kallam e xunkth.
Fjala e Zotit.

Psalmi 146

Lavdëroje, shpirti im, Zotin.
----------
Zoti e mban besnikërinë për amshim,
u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
----------
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.
----------
U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.


Leximi i dytë Jak 2, 1-5

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Vëllezër të mi, mos e përzini fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit të madhërueshëm me krahmbajtje! Sepse, po bëri e hyri në mbledhjen tuaj një njeri me unazë ari, i veshur në mënyrë të shkëlqyeshme e, po hyri një skamnor me petka të vjetruara, e ju e rrethoni me nderime atë që është i veshur bukur dhe i thoni:
“Urdhëro! Ti ulu këtu lirisht!”, ndërsa skamnorit i thoni: “Rri atje, në këmbë!” ose: “Ulu këtu, poshtë, te këmbët e stolit tim!”, a nuk gjykuat ju në vetvete me krahmbajtje dhe a nuk u bëtë gjykatës që gjykojnë për së mbrapshti? Dëgjoni, vëllezër të mi të dashur! A nuk i zgjodhi Hyji ata që për sy të botës janë skamnorë për t’i bërë të pasur në fe dhe trashëgimtarë të Mbretërisë që ua ka premtuar atyre që e duan?
Fjala e Zotit.


Ungjilli Mk 7, 31-37

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Jezusi doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit. Ia sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. Ai e ndau prej popullit veçmas, ia shtiu gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha” – që do të thotë: “Çelu!” E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.
Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: “Gjithçka bëri mirë! Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!”
Fjala e Zotit.

Homelia:

Besimtarët shpeshherë pyesin veten: Pse besojë në Zotin? A ka kuptim të besosh? A është Zoti më të vërtetë i pranishëm ndër ne? Si mund të jam i sigurtë se gjithë që është dhe ekzistoin, është prej Zotit. Këto pyetje nuk janë zbulesa jonë. Ato ekzistonin edhe shumë shekuj para Krishtit. Ky është një problem i madh edhe për bashkësinë e besimtarëve, siç dëshmojnë edhe çastet më të vështira të historisë së Izraelitëve. Sepse, pyetja kryesore është: a ka jeta kuptim, apo jo. Nëse s’ka, pse jetojmë; nëse ka, pse nuk duket në mënyrë të qartë ky kuptim.

Qartë është se as izraelitët, as ne nuk e shohim kuptimin e jetës sonë pa dritë e Hyjit. Si ata po kështu edhe ne jemi të verbër për ta pa Zotin dhe planet e tij në jetën tonë, sepse na mungon drita e fesë, e dashurisë e shpresës.

Në anë tjetër, falënderojmë Zotin, që gjithmonë ka dërguar njerëz që rrënjësisht qenë të lidhur me Hyjin, e që u flisnin njerëzve e popujve në emër të Zotit Dashuri e Drejtësi. Këta njerëz në jetën e vet e në lutje ë përditshme ishin gjithmonë me Zotin dhe për këtë arsye e shihnin qartë kuptimin e jetës e fuqinë e fesë në Hyjin. Ata ishin të sigurtë se çdokush që personalisht e në mënyrë të sinqertë e kërkon Hyjin, në një çast do të takohet me Zotin e atëherë do t’i çelen sytë për të kuptuar jetën dhe do t’i çelen veshët për të dëgjuar Fjalën Hyjnore. Gjuha njerëzore në atë çast do t'i brohoras mirësisë së Hyjit, sepse Zoti është dashamiri më i madhi i ynë.

Për këtë arsye profeti Isaia, plot siguri e bindje, profetizon çka do të bëjë Zoti kur të vij për të shpëtuar popullin e vet. Dhe vërtetë, kur Zoti erdhi në Jezu Krishtin, profecia e Isaisë u plotësua: të shurdhërit, memecët, çalamanët u shëruan...

Po Krishti nuk erdhi vetëm për shërimin e sëmundjeve trupore. Më vështirë dhe më e rrezikshmja është sëmundja shpirtërore. Mëkati më i madhi është mëkati i mosbesimit në Zotin. Por kush mund të na shërojë nga mosbesimi? Askush, përveç Jezusit!

Ka shumë njerëz që nuk besonin në Zotin dhe kuptimin e jetës së vet e kërkonin tjetërkund, por nuk e gjenin. Vetëm kur u takuan me Krishtin, sytëu çelën dhe panë se gjithçka është prej Zotit, e shpirti ynë mund të kënaqet vetëm në Të.

Si njeriun që nuk mund ta njohim para se të takohemi me të, po kështu as Krishtin s’mund ta njohim vetëm prej librave, nëse nuk e takojmë në jetë. Pra, lypet para së gjithash një takim personal. Dikujt ndoshta i duket se Krishti s’mund të takohet personalisht, por kjo vërtetë është e mundshme – sidomos në bashkësinë e besimtarëve në Meshën shenjte, në Kungimin shenjt, duke kumtuar e dëgjuar Fjalën e Hyjit, Shkrimin Shenjt, pastaj mund ta takojmë në lutjen e përditshme, posaçërisht në lutjen e përbashkët, në lutje thënë me fe e me gjithë zemër, kështu do të shohim sa shpejt i afrohemi Krishti Zot, madje sa shpejt Ai vjen tek ne.

Gjatë kësaj meshe të gjithë do të lutemi për ndihmën e Zotit të na çelen sytë e ta shohim lumturinë dhe kuptimin e jetës sonë në dorën e Tij Hyjnore.
A m e n.

Lutu me Ungjillin

O Zot, Ti krijove botën. Me ty ka hyrë në jetën tonë një forcë që shndërron dhe jep sërish një ekzistencë të shëndoshë e të plotë. Shërimet që kryen janë një gjë e mirë, por Ti o Zot, je e Mira jonë.
Ti na dhurove të parit, të folurit, të dëgjuarit, por Ti je Jeta. Bëj, o Zot, që të mos lejojmë të tërhiqemi vetëm nga fakte mrekullibërëse, por që të zbulojmë në faktet që na ndodhin shenjën e mirësisë dhe provanisë sate.

O Zot, të falënderojmë
për dashurinë tënde,

Të falënderojmë për dorën
që vazhdimisht na zgjat.
Të falënderojmë që na do
me gjithë varfërinë tonë
dhe mosmirënjohjen tonë.

Të falënderojmë që vazhdon të na duash
edhe kur e refuzojmë dashurinë tënde.
Të falënderojmë për të gjitha
dhuratat e tua,
për miqësinë, muzikën, ngjyrat,
gjërat e bukura.

Të falënderojmë për dhuratën
e Birit tënd, Jezus,
që është bërë njeri për të na dhuruar miqësinë e tij;
të falënderojmë që ke dashur të rrish me ne
në Sakramentin e Eukaristisë.

Të falënderojmë për jetën e amshuar
që ke mbjellë në ne.
Të falënderojmë për të gjitha
dhuratat e tua, o Zot.

Përgatitur nga: dehon.albania@yahoo.it







All the contents on this site are copyrighted ©.