(06.09.2009 RV)Roza lindi më 1233 nga prindërit Gjoni e Katerina, bujqër të
kamur, që jetonin në Santa Maria in Pogjo. Sapo i kishte mbushur 17 vjet, u sëmur
për vdekje. Një vegim që pati gjatë sëmundjes e nxiti të hynte në të Tretin Urdhër
të Shën Françeskut, duke vijuar të jetojë në familje. Sapo u shërua, nisi të përshkojë
rrugët e Viterbos me një kryq ose një figurë në dorë, duke u lutur me zë të lartë
e duke i ftuar të gjithë ta donin Krishtin, Zojën e Bekuar e Kishën. Askush nuk e
kishte ngarkuar ta kryente një detyrë të tillë. Ndërkaq Viterbo kalonte një periudhë
krize, për shkak të konfliktit ndërmjet Selisë së Shenjtë e perandorit Federiku III.
Konflikti përfundoi me pushtimin e qytetit nga perandori në vitin 1240, pushtim që
zgjati deri më 1247. Roza nisi një fushatë të zjarrtë për të përforcuar fenë
katolike, duke iu kundërvënë grupeve që nuk besonin, në një qytet ku sundonin gibelinët,
të lidhur me perandorin e armiq të papës. Ishte një nismë shpirtërore, por e lidhur
ngushtë me situatën politike, prandaj ndërsa ashpërsohej gjithnjë më tepër lufta ndërmjet
Guelfëve e Gibelinëve, Roza u internua së bashku me familjen. U kthye në atdhe vetëm
pas vdekjes së Federikut III, kur Viterbo kaloi përsëri në duart e papës. Por banorët
e qytetit nuk e dëgjuan më zërin e Rozës udhëve. Jeta e vajzës qe tepër e shkurtër.
Ajo mbylli sytë më 6 mars 1251. U varros pa arkivol, drejt e në tokë, në varrezën
pranë Kishës së Zojës në Pogjo. Një vit më vonë varri u hap e trupi i së Lumes u gjet
krejtësisht i patretur. Më 1252 Papa Inoçenci IV urdhëroi që ky trup të mbartej
brenda në Kishë, mendoi ta shpallte Rozën shenjtore dhe urdhëroi të fillonte procesi
kanonik, që nuk filloi kurrë. Kjo nuk e pengoi famën e shenjtërisë së saj të përhapej
aq me shpejtësi, sa në vitin 1457 Kalisti III kërkoi fillimin e një procesi të ri.
Por menjëherë pas kësaj kërkese, Papa vdiq. Gjithnjë më 1457 papa Aleksandri IV urdhëroi
që trupi i Rozës të rivarrosej në kuvendin e klariseve. E ka shumë mundësi të ketë
qenë i pranishëm në mbartjen e relikeve të së Lumes, sepse duke qenë Roma krejt e
pasigurt, papët banuan në Viterbo deri në vitin 1281. Ndonëse Roza nuk u shpall shenjte
me rit solemn, emri i saj u radhit ndërmjet shenjtorëve në botimin e vitit 1583 të
Mesharit romak. Pak nga pak nisën t’i kushtoheshin Kisha, kapela e shkolla në Itali
e vende të tjera, deri në Amerikën latine. E Lumja Rozë përkujtohet më 6 mars,
ditën kur lindi për qiell, por festimet më të njohura për nder të saj kremtohen në
shtator, për të përkujtuar mbartjen e trupit të së Lumes në Shenjtëroren që i është
kushtuar. Prandaj në këto festime trupi i Rozës, i mbajtur mbi supe, shetitet nëpër
rrugët e Viterbos. Në vitin 1922 papa Benedikti XV e shpalli Rozën pajtore të
të rejave të veprimit katolik. Rozë do të thotë trëndafil, po simboli i së Lumes së
sotme është një lule tjetër, zambaku i bardhë, simbol i të gjitha virgjërave.