2009-09-05 10:08:02

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’: “E ardhmja është Zoti”.


(05.09.2009 RV)Sot, në festën liturgjike të së Lumes Gonxhe Bojaxhi, mbyllim edhe ciklin radiofonik “Me Nënë Terezën”. E filluam bisedën tonë në atmosferën meditative, që krijojnë çdo vit dy data përkujtimore: 26 gushti, përvjetori i lindjes së Rregulltares së Madhe të Bamirësisë, dhe 5 shtatori, dita e kthimit të së Lumes Terezë tek Ati qiellor. E ftuam simbolikisht Nënë Terezën në mikrofonin tonë për të tretën herë, duke iu lutur të vijojë tregimin mbi jetën e saj aq të jashtëzakonshme, përmes shfletimit të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e 31-të e të fundit, e Lumja shqiptare na tregon si iu përgjigj një gazetari, kur e pyeti “Ç’do të bëhet me Kongregatën e Motrave të Bamirësisë, pas Nënë Terezës”:

“Mendoj se është diçka interesante të dëgjoni përgjigjen, që i dhashë një gazetari, pasi më bëri një pyetje, të cilën ma kishin bërë edhe shumë herë të tjera.
Më pyeti, pra: “Ç’do të ndodhë me Motrat e Bamirësisë pas Nënë Terezës? Kush do ta drejtojë Kongregatën?”.
I dhashë këtë përgjigje:
“Kjo nuk më shqetëson aspak. Zoti do ta gjejë një njeri më të përvujtë, më besnik, më të bindur, më të nënshtruar para Tij: dikë, që është më i vogël, por me fe më thellë. Përmes tij Zoti do të kryejë vepra edhe më të mëdha; do ta ndihmojë Kongregatën të bëjë më shumë për të gjithë ata që kanë nevojë”.
Ardhmëria nuk është në dorën tonë.
Nuk kemi kurrfarë pushteti mbi të.
Dimë vetëm ç’ndodh sot.
Kushtetuta jonë na fton: “T’ia lemë Zotit ta programojë ardhmërinë tonë, sepse e djeshmja tashmë kaloi, e e nesërmja nuk ka ardhur akoma; kemi vetëm të sotmen, për ta njohur më mirë, për ta dashur, për t’i shërbyer”. Prandaj të bëjmë gjithçka mund të bëhet, pa kurrfarë mosbesimi për të nesërmen, me bindjen se për Zotin s’ka asgjë të pamundur.
Sapo fillon t’ia besosh veten parasë, nis edhe ta humbasësh lidhjen me Zotin.
“Zoti na shpëtoftë nga një besim i tillë: do të ishte më mirë të vdisnim, sesa t’ia besonim veten një cope letre, që quhet para! – kështu u them shpesh motrave të mia. Nuk duhet të na shqetësojë kurrë mendimi për të ardhmen. Nuk kemi arsye për ta bërë këtë. Zoti është këtu!
Duhet ta ndjejmë veten tejet të lumtura, që jemi të varfëra.
Në se do të binim në kurthin e etjes për para, menjëherë do të na mbërthente një kurth tjetër: ai i gjërave që mund të blihen me para, e kurthe të tjera e të tjera, nga të cilat nuk do të shpëtonim kurrë më.
Pasuria jonë është gëzimi i Zotit: atë mund t’ia dhurojmë të gjithëve me begati.
Duhet të përpiqemi të jemi drita e Zotit për njerëzit që jetojnë pranë nesh.
Drita e Zotit; dashuria e Zotit. Kur t’i bëjmë mirë a keq ndokujt, duhet ta vemë dorën në zemër e të kujtojmë fjalët e Jezusit: “Ma keni bërë mua!
Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij . Në shpirtin e rregulltareve të bamirësisë, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, ka një dëshirë të vetme : "Të shuajnë etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore". Sot! Nesër! E në të ardhmen!".

 
Ardhmëria e Kongregatës, themeluar nga Gonxhe Bojaxhiu, thënë me fjalët e saj, është vetë Zoti!
Kur vdiq, më 5 shhator 1997, Nënë Tereza linte pas mijëra motra e vëllezër të tri Kongregatave rregulltare, themeluar prej saj: Misionaret e Bamirësisë (Dega aktive (1950), dega kundruese (1976); Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë (Dega aktive, 1963; dega kundruese, 1984) dhe dy lëvizjet : “Lëvizjen e bamirësisë të laikëve të çdo feje e kombësie” dhe “Lëvizjen ‘Korpi i Krishtit’ për meshtarë”, themeluar më 1991. Vetëm motrat që la për të vijuar veprën, kur mbylli sytë, arrinin në 4000, të shpërndara në 123 vende të botës. Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të përgjithshme, Nënë Nirmala Joshin, e cila sapo ishte zgjedhur; bëri edhe shtegtimin e mbramë jashtë Indie. Më 5 shtator u ndal në stacionin e fundmë të udhëtimit të saj të gjatë mbi këtë tokë. Trupi i së Lumes shqiptare u varros, me funeral shtetëror, në Shtëpinë Amë të Misionareve të Bamirësisë.
Sot veprën e Nënë Terezës në krye të Kongregatës e vijon Motra Meri Prema. Rregulltarja, e lindur në Gjermani, u zgjodh më 24 mars 2009, nga Kapitulli i përgjithshëm, i përbërë prej 163 delegateve nga mbarë bota. Kujtojmë se kapitulli mbahet çdo gjashtë vjet e se pasardhësja e parë e Nënë Terezës, Nënë Nirmala, hoqi dorë nga udhëheqja për arsye shëndetësore. Eprorja e re përsëriti betimin e Nënë Terezës: “U ngarkova me një përgjegjësi të madhe: t’i çoj Jezusin njerëzimit të munduar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.