2009-09-04 18:01:25

Grupi i parë i ipeshkvijve brazilianë në vizitë “ad Limina” në Vatikan


(04.09.2009 RV)RealAudioMP3 Filloi sot vizita “ad Limina” e grupit të parë të ipeshkvijve të Brazilit në Vatikan. Një shtet shumë i madh, që sëbashku me Kinën, Indinë, Rusinë dhe Meksikën, bën pjesë në ekonomitë, të ashtuquajtura “spikatëse”, me treguesit më të lartë të zhvillimit në nivel botëror. Kjo është fytyra aktuale e Brazilit, i cili gjithsesi, me vështirësi po e lë pas humnerën, që ekziston edhe sot, ndërmjet të pasurve e të varfërve, që bëjnë pjesë në 190 milion banorët e tij. Dritëhije, që grupi i parë nga 13 grupet e ipeshkvijve që do të vijnë në Vatikan, po ia paraqet Papës Benedikti XVI dhe Kuries Romake. Të dëgjojmë, kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Brazilit, imzot Geraldo Lirio Roka, në mikrofonin tonë për një panoramikë mbi jetën e Kishës në vend:
Nga njëra anë, kemi problemin e sekteve fondamentaliste, të neo-pentekostalizimit dhe, nga ana tjetër, indiferencën fetare, pluralizmin kulturor e krejt fenomenet që përjetohen edhe në vendet më të zhvilluara. Edhe ne kemi problemin e relativizmit, të ateizmit praktik e të gjitha sfidat e post-modernizmit. Gjithsesi, shihet edhe një zhvillim i madh i Kishës, pasi katolikët janë më të ndërgjegjësuar për fenë e tyre, marrin pjesë më shumë në jetën e Kishës. Në këtë kuptim, Bashkësitë Kishtare Bazë janë gjithnjë një shpresë, sidomos ndër të varfërit e në periferitë e qyteteve, siç janë edhe lëvizjet kishtare.
Cila është gjendja e të rinjve në vend?
Ndryshimi epokal që po jetojmë është tepër i shpejtë e pa dyshim, të rinjtë janë ata që e përjetojnë atë më me gjallëri e forcë. Kjo është një sfidë, pasi familja nuk di më si të dialogojë me ta, po ashtu edhe shkolla. Kisha përpiqet të gjejë rrugëzgjidhje: ndërthurja e punës që bëhet me baritorinë e të rinjve me atë të Lëvizjeve kishtare që merren me rininë, nuk është e lehtë. Një Kishë e hapur për katolikët që janë larguar prej saj, por edhe një Kishë që shkon tek njerëzit, sidomos në zonën e Amazonës, ku mjetet dhe burimet njerëzore janë reduktuar shumë.
Kisha në Brazil ka qenë gjithnjë në vijën e parë të frontit për të denoncuar plagët shoqërore. Në një dokument të fundit të Këshillit të përhershëm, ajo dënon edhe një herë korrupsionin, të cilin e ka quajtur kërcënim për sistemin demokratik. Përveç denoncimit, ç’bëhet për ta mbyllur këtë plagë?
Nga njëra anë, kemi këtë mision profetik të Kishës, që denoncon çdo gjë që i kundërvihet dinjitetit të personit, drejtësisë, jetës. Korrupsioni është një nga këto dhe ka arritur deri në nivelet më të larta të institucioneve. Nga ana tjetër, Kisha përpiqet të ndërhyjë me anë të baritorisë së veçantë për fëmijët, të rinjtë, të moshuarit. Çështja e problemeve shoqërore është marrë shumë seriozisht, pasi e dimë se me peshën që ka në shoqëri, Kisha Katolike në Brazil mund të sjellë një kontribut pozitiv për gjetjen e rrugëzgjidhjeve.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.