Çelësi i fjalëve të Kishës:kuptimi i krishterë i fjalës “ligj”.
(03.09.2009 RV)Termi “Ligj”, në gjuhën teologjike, përdoret kryesisht
me tri kuptime. Së pari, me të kuptohet Torah, që në vetvete do të thotë “mësim”,
e që përfshin pesë librat e parë të Biblës, atë të Zanafillës, të Daljes, të Levitikut,
të Numrave dhe të Ligjit të Përtërirë. Kjo fjalë hebraike, “Torah” pra, përkthehet
me fjalën “Ligj”, pasi pjesë të mëdha në këto libra janë struktura legjislative dhe
normative, jo vetëm fetare e morale, por edhe civile e penale. Që këtej, rrjedh
kuptimi i dytë i fjalës “Ligj”: Bibla, pikërisht sepse nuk është zbulimi abstrakt
i misterit të Hyjit, por është zbulimi i hyrjes së Zotit në histori, na tregon rrugën
konkrete e të përditshme për të ecur me Zotin e për të bashkëpunuar në planin e tij
të drejtësisë e paqes, rrugë që shprehet përmes urdhërimeve e rregullave. Në këtë
dritë, ekziston prirja për ta konsideruar njëlloj Ligjin e fjalën e Zotit,
e kjo dëshmohet sidomos nga Psalmi 119 (118), një këngë me 22 strofa e 176 vargje,
e cila përdor tetë terma hebraikë për Ligjin-Fjalë të Hyjit: tôrah (ligj),
dabar (fjalë), ‘edût (dëshmi), mishpat (gjykim), ‘imrah (thënie),
hôq (dekret), piqqudîm (rregull), miswah (urdhërim). Vlera
simbolike e këtij kuptimi të Ligjit shpjegohet më së miri në vargun 105 të Psalmit:
“Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, dritë për udhët e mia”. Është e natyrshme
që në serinë e ligjeve biblike, disa prej tyre marrin vlerë parësore e vendimtare.
Të tilla janë 10 Urdhërimet e Tënzot, apo norma mbi rrethprerjen, si shenjë e besëlidhjes
së Zotit me popullin e vet, apo ajo e së shtunës, qendra e kultit hebraik. Profetët
do të përpiqen ta kalojnë Ligjin biblik nga një horizont ligjor, juridik e shoqëror
në një nivel më personal, ekzistencial e shpirtëror. Ky është një operacion interpretimi
që na çon drejt kuptimit të tretë të termit “Ligj”. Jezu Krishti, në fjalimin
e tij mbi mal, me anë të gjashtë “antitezave” të famshme, që përshkruan Ungjilli sipas
Mateut (5, 21-48), përpiqet të kapërcejë zbatimin e ligjit thjesht si rregull juridike,
duke vënë në dukje bazën e një rregulle, që i gjen rrënjët tek dashuria, besnikëria,
e vërteta dhe drejtësia. Ligji bëhet kështu, i rëndësishëm edhe për të krishterët,
por jo në formën e tij të jashtme, por në thelbin thellësisht shpirtëror. Në këtë
rrugë do të ecë edhe Shën Pali Apostull. Në vetvete, reflekton Apostulli i Popujve,
ligji është i shenjtë, i drejtë, shpirtëror (Rom 7, 12.14.16), transmetuar përmes
engjëjve (Gal 3,19), por bëhet i paaftë të na shëlbojë, nëse kuptohet thjesht si një
sistem veprimesh, që njeriu duhet të bëjë për të fituar shëlbimin me anë të meritës
së vet. Është njëlloj sikur një person i zhytur në kënetë të përpiqet të çlirohet
vetëm, duke ngritur frenetikisht krahët drejt qiellit. Vetëm dora e Zotit mund të
na nxjerrë nga humnera e mëkatit ku ndodhet njerëzimi, përmes hirit të tij, që pranohet
nga njeriu me fe. Prandaj Shën Pali Apostull thotë: “me hirin e tij, të gjithë
e fituan falas drejtësinë, në saje të shpërblimit që bëri Jezu Krishti” (Rom 3,24).
Por kjo nuk do të thotë se ligji është i pavlefshëm. Ai bëhet, pas pranimit të Hirit
hyjnor, një udhëheqje në jetë, bëhet “Ligji i Shpirtit”. Ky na bën të kuptojmë se
është dashuria sinteza dhe fryma e të gjitha rregullave e urdhërimeve.