2009-09-03 18:44:43

Papa me rastin e Simpoziumit ndërkristian: së bashku për ndërtimin e qytetit të Zotit në paqe e dashuri


(03.9.2009 RV)RealAudioMP3 Të njohësh “pasuritë doktrinore e shpirtërore që formojnë thesarin e lindjes e të perëndimit të krishterë, bëhet çështje e domosdoshme” për “të promovuar një vlerësim më të mirë të anasjelltë ndërmjet të gjithë të krishterëve”. Këtë nënvizon Papa Benedikti XVI në një mesazh dërguar kardinalit Walter Kasper, president i Këshillit Papnor për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve, me rastin e hapjes së sotme të Simpoziumit të XI ndërkristian mbi Shën Agostinin. Punimet e këtij Simpoziumi ndërkombëtar që ka për temë “Shën Agostini në traditën perëndimore e lindore” do të zgjasin deri më 5 shtator.
Ati i Shenjtë Racinger uron që Simpoziumi të jetë “ shtytje për të zbuluar konvertimet doktrinore e shpirtërore që shërbejnë për të ndërtuar së bashku Qytetin e Zotit, ku bijtë e tij mund të jetojnë në paqe e në dashuri vëllazërore të bazuar mbi të vërtetën e fesë së përbashkët”. Mesazhi i Benediktit XVI përqendrohet mbi temën e Simpoziumit. Shën Agostini, një ndër Etërit e mëdhenj të Kishës Latine, vëren Papa, ka “një rëndësi themelore për teologjinë e për vet kulturën perëndimore, derisa perceptimi i mendimit të tij në teologjinë ortodokse është treguar disi më problematik”. Duke u nisur nga kjo, vërehet nevoja e thellimit të veprës së autorit të Rrëfimeve. Papa Racinger përgëzon “këtë nismë vëllazërore takimi e ballafaqimi mbi aspektet e përbashkëta të spiritualitetit, që është limfë e mirë për një marrëdhënie më të gjerë ndërmjet katolikëve e ortodoksëve “. Fakti që sivjet punimet e këtij Simpoziumi zhvillohen në Romë, Benedikti XVI e vë theksi mbi përkujtimit e Apostujve Pjetër e Pal si “nxitje e fortë për të avancuar drejt bashkimit të plotë”. Takimi është organizuar nga Instituti Françeskan i Spiritualitetit të Universitetit Papnor Antonianum i Romës dhe nga Fakulteti Teologjik Ortodoks i Universitetit Aristoteli i Salonikut.







All the contents on this site are copyrighted ©.