2009-09-03 16:47:42

Papa gjatë projektimit të filmit mbi Shën Agustinin: e Vërteta është më e fortë se çdo pengesë.


(03.09.2009 RV)Një udhëtim shpirtëror për të zbuluar të Vërtetën, më i fortë se çdo pështjellim njerëzor: kështu e quajti Papa Benedikti XVI filmin mbi Shën Agustinin, shfaqur mbrëmë në Pallatin Apostolik të Kastelgandolfos, në praninë e Atit të Shenjtë.
Tre orë për të përshkruar veprimtarinë e teologut të madh, ipeshkvit të Iponës, që nga problemet e rinisë e deri në takimin me Krishtin, që ia ndryshoi jetën një herë e përgjithmonë. E pamundur të sintetizohet në kaq pak kohë personaliteti dhe jeta e një gjiganti të fesë, siç është autori i “Rrëfimeve”, por Papa, i cili është veçanërisht i lidhur me Shën Agustinin, vlerësoi kuptimin e veprës. Ajo përfaqëson, theksoi Ati i Shenjtë, një udhëtim shpirtëror shumë larg nesh, e megjithatë shumë afër, pasi drama njerëzore është gjithnjë po ajo:
“Pamë se si, në një kontekst shumë të largët për ne, paraqitet krejt realiteti i jetës njerëzore, me të gjitha problemet, trishtimet, mossukeset, por edhe fakti se në fund të fundit, e Vërteta është më e fortë se çdo pengesë dhe gjen njeriun. Kjo është shpresa e madhe që mbetet në fund: ne nuk mund ta gjejmë të vetëm të Vërtetën, por e Vërteta, që është Njeri, na gjen”.
Mbetet mesazhi i Shën Agustinit për mbarë njerëzimin, mesazh aspak i mërzitshëm e shumë aktual. Filmi serial do të transmetohet këtë vjeshtë nga Radiotelevizioni italian RAI, të cilin Benedikti XVI e falenderoi sëbashku me prodhuesit e tjerë, Lux Vide dhe televizioni bavarez “Bayerischer Rundfunk”.







All the contents on this site are copyrighted ©.