2009-09-03 17:32:12

Në Tiranë u nënshkrua marrëveshja ndërmjet PD dhe LSI për qeverinë e re.


(03.09.2009 RV)Sali Berisha dhe Ilir Meta nënshkruan dje, më 2 shtator, në Tiranë marrëveshjen e bashkëpunimit për qeverinë e re. Sipas kësaj marrëveshjeje Meta do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm. Po ashtu partisë së tij i takon e drejta e emërimit të ministrit të ekonomisë, ministrit të energjitikës dhe minierave si edhe e ministrit të shëndetësisë. Gjithashtu njëri nga nënkryetarët e parlamentit të ri shqiptar do të jetë i kësaj partie.
“Me zotin Meta kemi rënë dakord me mirëkuptim të plotë, se nuk bëhet fjalë për asnjë lloj ndarje, për sa i përket shërbimit civil. Interesi ynë i përbashkët është që ky shërbim të konsolidohet gjithnjë e më shumë, si një shërbim në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, të shtetit shqiptar.” tha për shtypin kryeministri Sali Berisha.
Por kryetari i opozitës Edi Rama gjatë një konference shtypi e quajti këtë koalicion si “kurorëzim i maskaradës së krimit elektoral”. Më pas kryetari socialist Edi Rama, e akuzoi Ilir Metën se duke nënshkruar marrëveshjen me PD kreu një mashtrim politik ndaj atyre që i kanë dhënë votën.
****
Garantimi i një qeverisje të qëndrueshme për interesa kombëtare është baza e marrëveshjes politike për koalicionin e ri qeverisës mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Për herë të parë vendi do të bashkëqeveriset nga përfaqësues të një spektri të gjerë politik, ndaj dhe marrëveshja mes dy forcave kryesore të koalicionit qeverisës, e cila u finalizua dje para mediave, synon një gjithëpërfshirje të programeve politike të cilat do të mund të përfaqësojnë interesat e të djathtës dhe të majtës shqiptare.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ranë dakord të krijojnë së bashku qeverinë e Integrimit Evropian, si dhe u zotuan për realizimin e detyrimeve kombëtare për të përshpejtuar procesin e integrimit, veçanërisht realizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Dy palët shprehin bindjen se situata ekonomike dhe politike në vend kërkon evitimin e krizave që dëmtojnë stabilitetin dhe integrimin e vendit, si dhe angazhohen për realizimin e një procesi reformimi real të sistemit tonë institucional dhe zgjedhor për të konsoliduar demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
"Zbutja e polarizimit politik e social, që ka ardhur si rezultat i një politike të stërzgjatur konfliktuale dhe realizimi i një qeverisje në favor të gjithë votuesve shqiptarë të djathtë dhe të majtë", janë në fokus të marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Pasi të aprovohet në parlament, programi i qeverisë do të jetë busulla drejtuese e koalicionit, ndërsa për probleme të veçanta gjatë qeverisjes, zgjidhja duhet të jetë produkt konsensual mes kryetarëve të PD-së dhe LSI-së.
Rëndësi të veçantë ka konsensusi për votime në Parlament me shumicë të cilësuar apo votime që janë të rëndësishme për reforma programore të koalicionit. Në këtë marrëveshje i kushtohet rëndësi edhe konsensusit për buxhetin e shtetit, zërat dhe politikat e tij, si dhe për listën e investimeve.
Gjithashtu, marrëveshja parashikon se konsensusi është i nevojshëm për emërimet në institucionet kushtetuese, apo institucione të tjera që varen nga Parlamenti.
Koalicioni i qeverisë për Integrimin Evropian, si një aleancë afatgjatë, do të hyjë bashkë në zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2011, për të cilat do të realizohet një marrëveshje e veçantë. Koalicioni do të realizojë zgjedhjen e Presidentit të Republikës mbi bazën e konsensusit PD-LSI.
Ndërsa, çdo ndryshim në këtë marrëveshje duhet të bëhet me konsensus dhe si rrjedhojë pasuar nga një amendament me shkrim, të firmosur nga kryetarët e PD dhe LSI. Kryetarët mund të autorizojnë nga një përfaqësues të tyre për zbatimin e kësaj marrëveshje në gjitha nivelet e qeverisjes, si dhe për përditësimin e saj sipas zhvillimeve qeverisëse.
Palët në këtë marrëveshje zotohen se do të respektojnë ligjin për statusin e nëpunësit civil, ndërkohë që përfaqësimi i LSI-së në qeveri do të jetë në nivelin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, ministrit të Ekonomisë, Tregtisë, Energjetikës dhe ministrit të Shëndetësisë.
LSI do të ketë përfaqësimin e saj në drejtimin e Kuvendit, në nivel zv/kryetari, si dhe do të përfaqësohet në masën 20 për qind, në të gjitha nivelet e pushtetit, nivelet drejtuese dhe administrative, hallkave të tjera të pushtetit në nivel qendror dhe atij vendor.
Përfaqësimi në pushtetin ekzekutiv në nivel qendror e vendor do të realizohet brenda 30 tetorit 2009, ndërsa marrëveshja e nënshkruar dje mes palëve do të ketë efekt për mandatin 4-vjeçar të kësaj legjislature parlamentare.

***************************
Nga ATSH-ja.Marrëveshja PD-LSI fokusohet në hartimin e një programi të përbashkët qeverisës për vitet 2009-2013, për të realizuar objektivat e përbashkëta që kanë të bëjnë me:
- Përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në BE, duke realizuar të gjitha reformat e duhura, për të dhënë rezultate të menjëhershme në realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
-Reformimin e Kodit Zgjedhor me qëllim eliminimin e çdo diskriminimi që cënon barazinë e konkurimit politik
- Konsolidimin e shtetit ligjor, cilësisë dhe zbatueshmërisë së ligjeve
- Luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar
- Luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës qeverisëse
- Pavarësinë e sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet
- Zhvillimin e qëndrueshëm e të gjelbër, duke e ndryshuar strukturën ekonomike të vendit për ta shndërruar atë në një vend të fuqishëm prodhues, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik
- Realizimin e politikave nxitëse fiskale dhe ekonomike për të garantuar mbi 160 mijë vende të reja pune
- Përmirësimin e shërbimeve publike në mënyrë të veçantë të shërbimit shëndetësor dhe arsimit
- Aprovimin e Ligjit 'Për kujdesin ndaj moshës së tretë';
- Reformimin dhe realizimin e politikave kundër varfërisë, për të eliminuar përfundimisht varfërinë ekstreme që shprehet deri në pamundësi për të përballuar kostot elementare të një jetese normale.
- Krijimin e hapësirave më të mëdha për sipërmarrjen vendase dhe të huaj sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me fokus rritjen e prodhimit dhe punësimit
- Forcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, me fokus interesat kombëtare, integrimin, sigurinë dhe paqen
- Për realizimin e këtyre objekteve, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bien dakord që përfaqësimi i LSI në qeverisje të jetë 20% e organeve të pushtetit dhe strukturave qeverisëse, duke respektuar Ligjin 'Për Statusin e Nëpunësit Civil'.







All the contents on this site are copyrighted ©.