2009-09-03 16:47:59

Në një audio-libër mendimet dhe mësimet e Nënë Terezës


(03.09.2009 RV)Një audio-libër për të dëgjuar me muzikë fjalët e Nënë Terezës, së Lumes shqiptare të bamirësisë! Titullohet “Një laps i vogël” dhe është realizuar nga Karitasi Italian e nga Qendra evropiane për burimet njerëzore, në kuadrin e projektit kulturor dhe edukativ “Fonohistori”, kushtuar personazheve të mëdhenj të shekullit XX. Do të shpërndahet nesër në librari, ndërsa sot u paraqit në një konferencë shtypi, mbajtur pikërisht në radion tonë.
Libri e merr titullin nga fraza e famshme e Nënë Terezës, e cila e quante veten “një laps i vogël në duart e Zotit”, duke vënë kështu në dukje se askush nuk mund të jetë më protagonist se Hyji; ne jemi vetëm mjete, me të cilat Zoti shkruan faqe dashurie për botën. Është një nga mësimet më të mëdha të së Lumes, siç kujtoi presidenti i Karitasit Italian, imzot Xhuzepe Perizi, i cili e aktualizoi atë në ditët e sotme: “Përballë globalizimit – tha ai – të kujtojmë vlerën e solidaritetit; përballë emigracionit, të mbrojmë respektin për dinjitetin e njeriut”. Nënë Tereza nuk ka shkruar libra apo traktate, vetëm letra. Pikërisht prej tyre janë nxjerrë pjesët e audio-librit, të cilin e rekomandojmë fortësisht, para manipulimeve e teksteve të pakontrolluara që gjendjen në internet. Parathënia e librit është shkruar nga dy firma të njohura të editorisë italiane, Serxhio Xavoli dhe Folko Tercani, i cili ka punuar personalisht me Nënë Terezën. Muzika është kompozuar nga Mite Balduci.







All the contents on this site are copyrighted ©.