2009-09-02 17:12:31

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “25-vjetët e para të Kongregatës sonë”


(02.08.2009 RV)Në leximin e sotëm radiofonik të librit ‘Jeta ime’, duke vijuar rubrikën “Me Nënë Terezën”, e Lumja na flet për kremtimet madhështore të dasmës së argjendtë të Kongregatës. Sapo dëgjojmë fjalën ‘madhështore’, mendja na shkon menjëherë tek shpenzimet, koncertet, zhurmat, buja, veshjet, profumet, zbukurimet! Po dasma e Kongregatës që u shërben të varfërve më të varfër, natyrisht, u kremtua pa asnjë zbukurim, pa asnjë nga simbolet, që përdoren ndër dasma, në të katër anët e botës. Në kremtimin e kësaj dasme të çuditshme, luksi i vetëm ishte gjunjëzimi para tabernakullit, ishte lutja, ishte falënderimi i Zotit! Por sa mahnitëse qe kjo dasëm! Këtë na përshkruan Nënë Tereza në emisionin njëzetetetë, titulluar ‘“25-vjetët e para të Kongregatës sonë”:

 
“Siç e thamë më parë, dasmën e argjendtë të Kongregatës sonë e kremtuam në vitin 1975. Kongregata ishte miratuar më 7 tetor 1950, ditën e solemnitetit të Zojës Rruzare.
Kremtuam duke u lutur.
Ishte kremtim raskapitës e i mrekullueshëm njëkohësisht.
Njerëzit ngarendën të luteshim me ne e për ne.
Të gjithë, e natyrisht në radhë të parë ne vetë, falënderonin Zotin për veprën që ka kryer përmes Misionareve të Bamirësisë. Me autorizimin e zotit kryeipeshkëv, shkuam çdo ditë për t’u lutur në tempuj e kisha të ndryshme.
U lutëm, në ditët e mëpasme, me bashkësitë e fesë hinduiste, të fesë sikh, të fesë budiste, hebraike, anglikane, protestante…
Ishte diçka vërtetë e jashtëzakonshme.
Desha që dasma e argjendtë e Kongregatës të kremtohej me thjeshtësinë më të madhe, pa asnjë shpenzim, pa koncerte, pa zbukurime, pa asnjë nga simbolet, që përdoren në festat e mëdha.
Luksi i festës ishte falënderimi i Zotit!
U thashë motrave:
“Dua që Zoti të jetë figura qëndrore e kremtimeve tona, në mënyrë që vëmendja e të gjithëve të përqendrohet tek Ai e të gjithë të kuptojnë se Vepra nuk nuk është jona”.
Motrave, Vëllezërve, të Varfërve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që punojnë përkrah nesh në mbarë botën, u drejtova një letër, në të cilën shkruaja:
“Për njëzet e pesë vjetët që i kaluam të bashkuar në shërbim të Zotit, duke i bërë Krishtit në Kryq një shërbim bujar, me gjithë zemër, vite gjatë të cilave jetuam, punuam e u lutëm së bashku, të themi njëzëri:
“Të falënderojmë Jezus, që na do me një dashuri kaq të thellë e kaq personale!
Të falënderojmë për dhuratën e Korpit tënd e të Gjakut tënd!
Të falemi nderit për dhuratën, që na bëre, duke na caktuar t’u shërbejmë të Varfërve”!Të falënderojmë, Jezus, posaçërisht sepse je Krishti për secilën nga ne e sepse na do, ashtu si të do ty Ati”.







All the contents on this site are copyrighted ©.