2009-08-31 18:44:38

Çelësi i fjalëve të Kishës: fjala "kénosi"


(31.08.2009 RV)Shpesh, gjuha e Kishës përdor disa terma, të cilat dikur ishin, si të thuash, pronë e teologëve, pasi i përdornin vetëm ata në studimet e tyre. Të tilla janë fjalë si kèrigma, koinonìa, eskatollogjia, kairòs etj.. Njëra prej këtyre fjalëve, të cilën do ta shpjegojmë sot të dashur dëgjues, është “kénosi”, që rrjedh nga folja kenoun, “zbraz, boshatis”, ose “mohoj”. Kjo fjalë përdoret vetëm pesë herë në Besëlidhjen e Re e vetëm nga Shën Pali Apostull. Me të ai i paralajmëron të krishterët nga rreziku i “kotësimit të fesë” (Rom 4,14) ose të “kryqit të Krishtit” e të vlerës së tij shëlbuese (1 Kor 1,17).
Por ka një përdorim shumë domethënës të kësaj fjale, referuar vetë figurës së Krishtit, në një himn madhështor, të vendosur si një margaritar, në Letrën drejtuar Filipianëve (2,6-11). Objekt i shumë analizave dhe interpretimeve, teksi ka në qendër temën e Mishërimit dhe të misterit të Pashkëve. Biri i Zotit, në fakt, “nuk e konsideroi si një visar që s’mundet pa të” lavdinë e tij hyjnore dhe barazinë e tij me Atin, por “zbrazi, zhveshi vetveten (ekénosen në greqisht), e mori natyrën e shërbëtorit” (2,7).
Është gati si një rënie, që nga lartësitë e qiellit e çon Krishtin në tokë, duke e bërë njeri ndërmjet njerëzve. Por kulmi i kësaj “boshatisjeje” (mohimi të natyrës së vetvetes), që përshkruhet në rreshtin 8 të Letrës drejtuar Filipianëve si “përulje”, arrihet në majën e Golgotës.
Atje, Biri i Zotit përjeton diçka “të pamundur” për Zotin e karakteristike për njerëzimin. Përjeton vdekjen në formën e saj më të përbuzur, vdekjen në kryq, që atëherë u rezervohej të fundmëve të kësaj bote. Kjo është shenja më e lartë, që tregon se Biri i Zotit e ndau me ne, realitetin tonë prej krijesash jetëshkurtra e të mbaruara, të varfëra e të vdekshme. Por pikërisht përmes këtij solidariteti absolut me ne, përmes këtij vëllazërimi që e “zbraz, apo boshatis” Krishtin nga lavdia e tij, realizohet shëlbimi. Zoti në kryq nuk na shëlben se është i plotfuqishëm, por se tregohet i pafuqishëm, duke u bërë si ne.
Megjithatë, edhe në atë çast ekstrem, ai nuk pushon së qeni Biri i Zotit. Për këtë arësye, në errësirën e vuajtjes e të vdekjes, gjatë kénosi-t, ai na paraqet hyjninë e vet, që është në vetvete amshim i pasosur, jetë e lavdi. Kështu shpjegohet fundi i himnit paolin, i cili përshkruan një moment në ngjitje: Hyji e lartësoi Krishtin tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë: Jezu Krishti është Zot, në nder të Hyjit Atë” (2,9-11).
Kénosi e Birit të Zotit nuk është qëllim në vetvete, sikur të ishte vdekja e një heroi që flijohet. Ajo bëhet tharmi gjallërues i historisë, terreni ku mbin e lulëzon fara e shpëtimit, burimi i dashurisë që e tërheq njerëzimin në një përqafim shëlbues, pikërisht sepse ai që u “zbraz” nga hyjnia e tij e u bë si ne në vdekje është Zoti shëlbues.







All the contents on this site are copyrighted ©.