2009-08-31 18:42:07

Për muajin shtator, Papa i fton besimtarët të luten që Fjala e Zotit të pranohet e të jetohet si burim gëzimi e lirie.


(31.08.2009 RV)“Të lutemi, që Fjala e Zotit të njihet, të pranohet e të jetohet si burim lirie e gëzimi” – ky është ndjeti i lutjes së përgjithshme të Papës për muajin shtator. Benedikti XVI u kujton besimtarëve ftesën për ta vënë Fjalën e Zotit në qendër të jetës së tyre. Kërkesë e përsëritur vazhdimisht nga Papa, i cili pikërisht kësaj teme i kushtoi Sinodin e fundit të ipeshkvijve, mbajtur në tetor të vitit 2008.

Vetëm fjala e Zotit mund ta ndryshojë me të vërtetë zemrën e njeriut: është mesazhi kryesor i papnisë së Benedikti XVI. “Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin”, vëren Papa, duke cituar Shën Jeronimin. Prandaj ka shumë rëndësi që çdo i krishterë të jetojë në kontakt e në dialog personal me Fjalën e Zotit, e cila na është dhuruar në Shkrimin Shenjt. Dialogu ynë me Të, duhet të ketë dy përmasa: nga njëra anë, duhet të jetë dialog vërtetë personal, sepse Hyji flet me secilin prej nesh përmes Shkrimit Shenjt e ka një mesazh për secilin. E Shkrimin Shenjt – porosit Papa - nuk duhet ta lexojmë si një fjalë që i përket së kaluarës, por si Fjalën e Hyjit, që na drejtohet edhe ne. E shton: “Shkrimi Shenjt duhet lexuar në bashkim me Kishën e gjallë, për të mos rënë në interpretime të kushtëzuara nga koha e nga modat”:
“Ajo që sot është modernizëm, nesër është vjetrizëm. Ndërsa Fjala e Zotit është Fjalë e jetës së pasosur, mbart në vete amshimin, dmth vlen përgjithmonë. Prandaj mund të themi se duke e mbartur në shpirtin tonë Fjalën e Hyjit, mbartim në vetvete amshimin, jetën që s’ka perëndim” (Audienca e përgjithshme, 7 nëntor 2007).
Më 5 tetor të vitit të kaluar, në Vatikan hapej Sinodi i Ipeshkvijve, kushtuar “Fjalës së Hyjit në jetën e në misionin e Kishës”. Papa theksonte kështu sa urgjente është veprimtaria për ta bërë të frytshëm kumtimin ungjillor, duke i kujtuar njerëzimit se “Njeriu i kohës sonë nuk duhet ta zhdukë Zotin nga horizonti i tij!”:
“E vërejmë të gjithë sa e nevojshme është të vemë në qendër të jetës sonë Fjalën e Zotit, ta pranojmë Krishtin si Shëlbuesin tonë të vetëm, si vetë Mbretërinë e Zotit, kështu që drita e tij të ndriçojë çdo mjedis njerëzor: nga familja tek shkolla, nga kultura tek puna, nga koha e lirë tek fushat e tjera të shoqërisë e tek jeta jonë”.
E gjithnjë në Meshën, me të cilën hapi Sinodin, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, Ati i Shenjtë theksoi se duke u ushqyer me Fjalën e Zotit, njerëzit mund ta ndryshojnë me të vërtetë zemrën e tyre:
“Vetëm Fjala e Hyjit mund ta shndërrojë thellësisht zemrën e njeriut, prandaj ka shumë rëndësi që besimtarët e veçantë e bashkësitë të kenë marrëdhënie gjithnjë më të ngushta me të. Asambleja e përgjithshme do t’i kushtojë vëmendje kryesore kësaj së vërtete themelore për jetën e misionin e Kishës. Ushqimi me Fjalën e Zotit është detyra e saj e parë e kryesore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.