2009-08-31 16:26:48

Me 31 gusht, Kisha përkujton shën Abondin, ipeshkëv.


(31.8.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin, me 31 gusht, mes shumë shenjtorësh, Kisha përkujton edhe shën Abondin, ipeshkëv.
Abondi është një ipeshkëv i shenjtë që jetoi në shekullin e V, e sipas të dhënave ishte me prejardhje nga Selaniku i Greqisë. Posa mbërrini në qytetin italian Komo, u emërua pasardhës i ipeshkvit Amancio dhe shugurohet ipeshkëv në vitin 449. Vdiq ditën e Pashkëve të vitit 489. Shën Abondi ishte teolog, predikatar e diplomat i shquar.
Para se ti kushtohej krejtësisht misionit ipeshkvnor, e sidomos misionit ungjillëzues në krahina të thella malore afër Luganos, ku aso kohe ende nuk ishte përqafuar krishterimi, Shën Abondi qe dërguar si legat papnor nga Leoni i I papë në Kostandinopojë për të zgjidhur përfundimisht, çka edhe ia arriti me sukses, mosmarrëveshjet mbi çështjet doktrinore të fesë së krishterë, mbi dy natyrat e Krishtit, natyrën njerëzore dhe hyjnore. Kjo e vërtetë e fesë së krishterë, aso kohe kundërshtohej nga ipeshkvi Nestorio e arkimandriti Eutiki, dy figura këto të shquara të krishterimit lindor por që ishin në kundërshtim me doktrinën e Kishës së Romës dhe të Koncilëve Kishtarë, posaçërisht mbi dy natyrat e Jezu Krishtit: njerëzore e hyjnore.
Kështu në Kostandinopojë, ipeshkvi Abondio arriti t’i bindte besimtarët, priftërinjtë, murgjit dhe ipeshkvijtë e Lindjes me në krye ipeshkvin e Kostandinopojës ta përqafonin të vërtetën e fesë dhe t’i pranonin dokumentet papnore e mësimet e Koncilëve Kishtarë mbi doktrinë e krishterë. Ky mision i Shën Abondit ishte një sukses tejet i rëndësishëm e paqësor e kështu në vitin 451 në Romë u prit me solemniteti nga Papa Leoni I. Pas kësaj ndërmarrje, Abondi vazhdoi misionin ungjillëzues në viset veriore të Italisë, posaçërisht në Komo, ku predikoi Ungjillin e Ngjalljes së Krishtit Shpëtimtar tërë jetën duke shërbye si ipeshkëv deri në vdekje më 489.







All the contents on this site are copyrighted ©.