2009-08-30 12:12:28

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’: “Shenjtëri e vuajtje”


(30.08.2009 RV)Duke vijuar leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’, në bisedën e njëzetepestë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, sot ndalemi përsëri tek shenjtëria. E Lumja shqiptare na mëson ç’mund e ç’duhet të bëjmë për të ngjallur frymën e shenjtërisë, në një botë që rend pas parasë e pas kënaqësive, duke ia përshtatur gjithçka, e deri fenë, interesave të veta. Duhet të japim shembullin personal përmes një jete të thjeshtë, të përkushtuar, që flet vetë për lidhjen tonë të ngushtë me Zotin, pa të cilin njeriu nuk mund ta realizojë kurrë vetveten e aq më pak, të gjejë lumturinë. Sepse Zoti flet me gojën tonë, shikon me sytë tanë, vepron me duart tona, dashuron me zemrën tonë e mundohet me e në shpirtin tonë. Prandaj ‘Shenjtëri e vuajtje” na kujton sot Nënë Tereza, që ta çojmë Zotin në jetën e të gjithë njerëzve:

“Ndihmojini familjet tuaja t’i pranojnë të varfërit.
Jepuni zemër të bëjnë diçka për mijëra qenie njerëzore, që kanë nevojë për gjithçka, që vuajnë edhe për bukën e gojës.
E përsa ju përket ju, jetoni sa më thjesht që të jetë e mundur.
Jepni shembullin tuaj pikërisht përmes një jete të thjeshtë.
Shpirti i varfërisë flet për lidhje të ngushtë me Zotin.
Lëshojeni veten plotësisht në dorë të tij.
Shoqërojuni me të varfërit më të varfër e mundohuni t’u falni atyre kryesisht dashuri. Për të kanë më shumë uri e etje se për bukën e përditshme e për ujin, pa të cilin nuk mund të jetohet.
Duhet ta shikoni vuajtjen si diçka normale. Madje si privilegj.
Kur vuani, kjo tregon se Zoti është më pranë jush.
Në çastet e hidhura, kur jeta të duket e rëndë, e padurueshme, mos harroni se keni përkrah vetë Jezusin, se ai nuk i largon për asnjë çast sytë nga mjerimi juaj.
Vuajtja na zbraz nga vetvetja, për t’i krijuar sa më shumë hapësirë Jezusit.
Pa vuajtjen tonë, puna që bëjmë nuk do të ishte tjetër, veçse veprimtari e rëndomtë shoqërore.
Natyrisht, punë e mirë e e dobishme, por që gjithsesi nuk do të ishte puna e Jezusit, vepra e tij shëlbuese.
Jezusi dëshiron të na ndihmojë, duke jetuar me ne, duke hyrë në vetminë tonë, në agoninë tonë, në vdekjen tonë. U bë një nga ne, pikërisht për të na shpërblyer.
Na kërkohet të bëjmë të njëjtën gjë.Gjithë mjerimi i të varfërve, e jo vetëm braktisja e tyre shpirtërore, duhet shëlbuar!E ne duhet të bëhemi një me ta, sepse vetëm duke qenë një gjë e vetme, mund t’i shëlbojmë, domethënë ta çojmë Zotin në jetën e tyre e t’i marrim për dore, për t’i çuar tek Zoti!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.