2009-08-30 12:11:33

Osservatore Romano: “Piu XII, profet i paqes e i drejtësisë, kundër fajit kolektiv të gjermanëve për krimet e nazizmit”.


(30.08.2009 RV)“Piu XII luajti një rol profetik si profet i paqes e i drejtësisë gjatë e pas konfliktit II botëror, ashtu si bënë edhe pasardhësit e tij. E kundërshtoi prirjen për ta konsideruar mbarë popullin gjerman fajtor, për atë që po ndodhte në Evropë”. E lexojmë këtë në gazetën ‘L’Osservatore Romano’ të së hënës së kaluar, në një editorial botuar në faqen e parë e nënshkruar nga drejtori, GianMaria Vian. Teksti u botua me rastin e 70-vjetorit të radiomesazhit të Piut XII kundër shpërthimit të luftës, më 24 gusht 1939.
“Piu XII dhe ata që e pasuan në Selinë Romake me emrat Gjoni XXIII e Pali VI – shkruan ‘L’Osservatore’ - në sa shpërthente konflikti i përgjakshëm, qenë sa mbrojtës të arsyeve njerëzore e të drejtësisë, aq edhe dëshmitarë të dashurisë së Krishtit. Papa Paçeli nuk pushoi së predikuari në mbrojtje të paqes, si gjatë luftës, ashtu edhe pas përfundimit të saj: mbrojti demokracinë, refuzoi ta fajësonte kolektivisht popullin gjerman për krimet e luftës, iu kundërvu me të gjitha forcat totalitarizmit sovjetik, që u imponoi regjime diktatoriale shumë vendeve të botës, duke i hapur rrugën krimeve të reja e fatkeqësive të reja, pasojë e diktaturave të të gjitha ngjyrave. E nuk pushoi së punuari për një projekt, që do ta bashkonte “Evropën e vjetër,” kontinentin, që ishte vepër e gjenisë të krishterë, por që nuk qe i aftë për t’ia vënë veshin radiomesazhit papnor, transmetuar më 24 gusht 1939.
Koha do ta tregonte vlerën e tij, që mbetet aktuale edhe për sot e për nesër, që të mos përsëritet historia.







All the contents on this site are copyrighted ©.