2009-08-30 12:11:52

Letër e ipeshkvijve të Gjermanisë e të Polonisë, 70-vjet pas Luftës II Botërore.


(30.08.2009 RV)“Shtatëdhjetë vjet më parë, më 1 shtator të vitit 1939, forcat e armatosura të Gjermanisë pushtuan Poloninë. Nisi kështu Lufta II Botërore.
Kanë kaluar 70 vjet që atëherë, por lufta e pasojat e saj nuk janë shlyer nga kujtesa e njerëzve dhe e popujve. Madje koha nuk ka arritur akoma t’i mbyllë të gjitha plagët: disa janë ende të hapura e kullojnë gjak. Duke pasur parasysh se breznitë që shpëtuan gjallë, dëshmitarë pamorë të atyre viteve, e ata që patën guxim të pendohen e të kërkojnë falje, dalëngadalë po shkojnë, është e nevojshme të mos i lëmë të shkojnë bashkë me të vërtetën historike. Kjo e vërtetë duhet ruajtur e pashtrembëruar për breznitë e reja, sepse prirjet për ta shtrembëruar nuk mungojnë. Kemi nevojë për një bilanc të ndershëm të mizorive të së kaluarës, por edhe për të hequr dorë nga stereotipet, që e bëjnë edhe më problematike mundësinë e kuptimit të atyre kohëve e mund ta minojnë besimin e krijuar me shumë vështirësi ndërmjet polakëve e gjermanëve”.
Me këto fjalë nis Deklarata e përbashkët e kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore të Polonisë e të Gjermanisë, imzot Jozef Mihalik e imzot Robert Zolih, botuar me rastin e 70-vjetorit të fillimit të Luftës II Botërore.
“Në Evropën Lindore – lexojmë në tekst - kjo luftë synonte të zhdukte ose të kthente në skllevër popuj të tërë. Për ta realizuar qetësisht këtë qëllim, u goditën së pari liderët e shoqërisë polake, mendjet më të ndritura, studiuesit, inteligjencia e, në radhë të parë, kleri, elita e popujve të Evropës qëndrore e lindore. Sot kujtojmë miliona viktima të kësaj lufte, njerëz të vrarë, të burgosur, të munduar, sepse kundërshtarë të ideologjisë raciste, besimtarë të një feje të padëshiruar: hebrenj e rom; njerëz me kufizime mendore e fizike”. Duke iu drejtuar breznive të reja, Deklarata pohon: “Ndonëse hapat e bëra drejt pajtimit në 7 dekada kanë sjellë fryte të mira, tmerret e luftës janë ende të freskëta në kujtesën e njerëzve e të popujve e peshojnë rëndë në marrëdhëniet ndërmjet tyre, sepse nuk është aspak e lehtë të harrosh e madje nuk duhet harruar. E kjo, edhe pse në shoqëri e në politikë vërehen prirje, madje tundime, që plagët ende të hapura të përdoren për të rindezur mëritë e vjetra e, sidomos, për t’i interpretuar ngjarjet e së kaluarës, në shërbim të interesave politike të së sotmes, duke vijuar keqeshkronjën e historisë. E kjo mund të çojë në lindjen e diktaturave të reja!
Prandaj Kisha ka vendosur të ngrejë zërin kundër largimeve nga e vërteta historike, duke i ftuar të gjithë për dialog të vazhdueshëm, për t’i dëgjuar arsyet e të dyja palëve. Gjermanët e polakët duhet të tregojnë kujdes të veçantë për ata që vuajnë akoma për shkak të plagëve të luftës, pushtimit të trojeve polake e përbuzjes së njeriut.Paqja ndërmjet popujve, e bazuar mbi drejtësinë e pajtimin, nuk na është dhuruar një herë e përgjithmonë – shkruajnë prelatët – duhet mbrojtur ditë për ditë e mund të lulëzojë vetëm në se të gjithë ne jemi të gatshëm t’i njohim përgjegjësitë tona. Dhurata e paqes duhet jetuar më parë në zemrat tona, që të përhapet pastaj në familjet tona e në familjet e kombeve tona. Pajtimi i popujve tanë është dhurata më e madhe, që mund t’i bëjmë Evropës së bashkuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.