2009-08-29 13:47:31

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës 22-të gjatë Vitit Kishtar “ B”. Nuk bëhemi të mirë duke i prek shenjtërit, por duke e jetuar Ungjillin.


(29.8.2009 RV)RealAudioMP3 Të nderuar dëgjues e vëllezër motra në Krishtin, ia përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të Meshës Shenjte të së dielës, kësaj herët në takimin tonë me Liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 22-të të vitit kishtar, ciklit të dytë.
Pas pesë të dielave, në të cilat kemi dëgjuar fjalimin e Jezusit mbi Bukën e Jetës, mbi Eukaristinë Shenjte, nga kreu i 6-të i Ungjillit të Shën Gjonit, me këtë të diele, i kthehemi përsëri Ungjillit të shën Markut, i cili gjatë këtij viti të dytë (‘B’) kishtar, është udhërrëfyesi ynë, i cili përmes tregimit dhe shpjegimit na njeh me veprat dhe mësimet e Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar.
Kështu, në pjesën Ungjillore të kësaj së diele, shën Marku Ungjilltar, na sjell mësimin e Jezu Krishtit mbi kultin e vërtetë ndaj Zotit. Pra, me pak fjalë, Jezusi na tregon se cili është kulti i vërtetë ndaj Zotit, kulti i brendshëm, kulti i zemrës e këndej na fton të larohemi nga formalizmi fetar, nga rreziku i kultit të formës, kultit të imazhit, kultit ritual e të jashtëm. Jezusi na tërheq vëmendjen tonë e na fton të ruhemi nga feja rituale, prej formave të jashtme fetare që e prekin zemrën por vetëm kënaqin zërin. Kulti ynë i vërtetë ndaj Zotit është i zemrës, shpirtëror.
Po kështu, duhet thënë se “kulti” duke folur sipas kuptimit etimologjik vjen nga “kultivimi. Sikur bujku që e kultivon (mbjellë) fushën: kujdeset për të, e lëvron, e mbjellë sipas kritereve te sakta..Kulti ndaj Zotit domethënë pikërisht të mendosh, të përkujdesesh, ta kultivosh marrëdhënien me Zotin duke iu përmbajtur orientimeve të vlefshme ungjillore.
Në pjesën ungjillore të kësaj së diele, Jezusi ndalet tek dy” rregulloret” që e karakterizojnë kultin e vërtetë ndaj Zotit: në rend të parë kulti duhet të bëhet me zemër e jo me gojë; pastaj duhet të jetë në përkim apo në përputhje me vullnetin dhe me “urdhërimet” e Zotit dhe jo me mentalitetin shekullar (shoqëror).
Kulti ynë ndaj Zotit, pra, duhet të shpreh realitetin tonë të brendshëm, atë çka kemi e çka ndjejmë në zemër, sepse Zoti e shikon dhe vlerëson zemrën tonë prej së cilës buron adhurimi i vërtetë, respektimi dhe dashuria e vërtetë ndaj Zotit e ndaj mësimeve të tija hyjnore. Në mendimin e Jezusit, feja nuk është e vërtetë e nuk e shpëton njeriun, atëherë kur reduktohet vetëm në formë të jashtme, kur reduktohet në fe magjike, joshëse e nuk depërton në brendësi të zemrës. Mbi këtë argument, Mateu na referon edhe këto fjalë të Jezusit që sqarojnë edhe më mirë mendimin e Tij mbi kultin e vërtetë. Thotë Jezusi: “ Vaj për ju,skribë e farisenj, shtiracak, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini mbas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këtë ju është dashur ta bëni e nga ajo e para s’është dashur të hiqni dorë. Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini gamilen!” (Mt 23,23-24). Fjalë të tmerrshme e të rëndësishme edhe për ne sot.
Po tani t’i dëgjojmë leximet biblike e pastaj edhe komentin.......RealAudioMP3
**********
www.kisha-katolike-gjakove.com ka përgatitur leximet:
Leximi i parë (Lp 4, 1-2.6-8) Ky popull më nderon me gojë !

 
Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli dhe tha: “E tani, o Izrael, dëgjo urdhërimet dhe rregulloret që po jua mësoj që, duke i kryer ato, të jetoni dhe të hyni e ta bëni pronë tokën që Zoti, Hyji i etërve tuaj, do t’jua japë. Mos u shtoni asgjë urdhrave që po ju jap dhe mos u mungoni asgjë!
Mbani urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, që po jua jap unë, që t’i mbani e t’i vini në zbatim. Kjo do t’ju bëjë të dijshëm e të urtë në sytë e popujve. Kur t’i kenë dëgjuar të gjitha këto urdhërime, do të thonë: ‘Ja, një popull i dijshëm e i kuptueshëm! Ky qenka popull madhështor!’
E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshëm, që t’i ketë hynitë e veta kaq afër vetes, sikurse është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?! Dhe, ku ka një popull tjetër kaq të përmendur që të ketë urdhërime e rregullore të drejta, siç është i tërë ky Ligj, që unë sot po e shtroj para syve tuaj?!”

Fjala e Zotit.

Psalmi 15
Ata që e kanë zemrën e pastër do të banojnë në shtëpinë e Zotit
----------
O Zot, e kush do të guxojë
të hyjë në tendën tënde?
Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi,
e prej zemrës flet të vërtetën.
----------
Që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton,
që shokun nuk e çnderon:
ai që bakeqin e mban për asgjë,
e i çmon ata që e druajnë Zotin.
----------
Nuk jep të holla me kamatë,
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.
----------

Leximi i dytë (Jak 1, 17-18.21-22.27)
Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Vëllezër, çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije ndryshimi. Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi një farë fryti të parë të krijesave të tija.
Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t’i shpëtojë shpirtrat tuaj. Bëhu zbatues të fjalës, e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten. Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë.

Fjala e Zotit.

Ungjilli (Mk 7, 1-8.14-15.21-23)

 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara.
Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të dokeve të të parëve. As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh tryezash.
Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin: “Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar të papastra?” Ai u përgjigj: “Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi: ‘Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje. I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë kinse mësim të Hyjit – rregulloret që i qitën njerëzit.’ Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”
Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetës dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut – ajo e bën të papastër. Sepse prej brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorëthyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenia, marrëzia. Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.” Fjala e Zotit.

Homelia:

Të dashur fëmijë!

Në leximet e sotme kemi dëgjuar se si Ati ynë qiellor na mëson porsi fëmijët e vet të vegjël dhe fort të dashur. Ai më së pari nëpërmjet Moisiut na ka dhënë 10 urdhërime të veta. Na ka dhënë vetëm urdhërimet më të nevojshme. Jo shumë – që mos të lodhemi. As tepër pak jo, por pikërisht aq sa janë të nevojshme për shëlbimin tonë.

Njëkohësisht Zoti nëpërmjet Moisiut na mëson: zbatoni ligjet! As mos shtoni gjë, as mos hiqni.

Ne e kemi të qartë se për çfarë arsye nuk duhet të hiqet asnjë prej urdhërimeve të Zotit – sepse ajo do të ishte mungesë dhe pengesë për shëlbimin tonë. Kush nuk i zbaton të gjitha urdhërimet e Zotit, bën mëkat dhe humb shpirtin. Shkon në ferr, apo së paku në purgator.

Por pse mos të shtohet edhe diçka?

- Sepse në këtë mënyrë populli mund të gabojë dhe të vlerësojë njësoj traditat e veta dhe ligjin e Zotit. Njeriu do të ishte në rrezik mos të dallojë fjalën e Zotit prej fjalës së njeriut. Atëherë, pasi nuk është i aftë t'i mbajë të gjitha – ndoshta do ta zbatojë traditën njerëzore, e do ta shkelë ligjin e Zotit. Kështu mundi i tij do të ishte i kotë. Kot do të lodheshim, sepse mundi i njeriut, i cili nuk përputhet me ligjin e Zotit, është kundër vetë njeriut. Me gjithë mundin tonë, do ta kishim humbur shpirtin.

Kështu edhe ndodh me shumëkënd. Populli izraelas, megjithëse dinte mirë se mund të shëlbohemi vetëm nëse i mbajmë urdhërimet e Zotit, këtë urdhër s’e ka respektuar: mos të shtojë asgjë atij ligji, që Zoti ia zbuloi nëpërmjet Moisiut. Kështu kanë krijuar shumë tradita, të cilat i kanë barazuar me ligjin e Zotit. Kështu ligji i Zoti ra viktimë e traditave njerëzore. Krishti mundohej gjithsesi ta përmirësonte këtë gabim.

Kur e kanë kritikuar Krishtin pse lejon që nxënësit e tij të hanë bukë pa i larë duart sipas traditave, Krishti i qortoi se i mbajnë traditat njerëzore, e njëkohësisht e shkelin ligjin e Zotit. Mandej i mësoi se çka e bën njeriun e papastër.

Për pastërtinë e njeriut nuk është aq i rrezikshëm pluhuri, mbeturinat, lloqi dhe ndyrësira të tjera – sa ndyrësia morale. Sepse të gjitha këto elemente të papastra mund të lahen e të hiqen.

Mirë ka thënë i moçmi: uji lan gjithçka – përveç faqes së zezë!

A keni dëgjuar dikur për ndonjë bujk të ndershëm se është i fëlligështi, sepse përditë punon tokën? – Jo, kurrë?

A keni dëgjuar dikur për ndonjë bari të ndershëm, i cili përditë shkon me lopë e dele, se është i fëlligështi?
- Jo, as ai nuk është i fëlligësht?

Po, kush është i fëlligësht (apo i papastër)?

- I fëlligësht, apo i papastër është njeriu i cili moralisht nuk është në rregull: njeriu rrenacak, hajn, vrastar, kurorëthyes, tradhtar etj. Pra, më e rrezikshmja papastërti, apo fëlligështi është faqja e zezë!

Kështu na mëson edhe Krishti: nuk e bën njeriun e papastër ajo që hyn në të, por ajo çka del nga zemra e mbrapshtë e tij: mendimet e këqija, lakmia, inati, mospajtimi, sharja, shpifja, truemja, rrena – si edhe punët e tjera të këqija, që më së pari lindin në zemër, e atëherë dalin në gojë, apo zbatohen me vepër.

Mbani mend gjithmonë fjalën: uji lan gjithçka – përveç faqes së zezë!

Dhe lutuni Zotit përditë bashkë me Psalmistin: "Ma krijo, o Zot, një zemër të pastër – dhe shpirtin e qëndrueshëm ripërtërije në mua!" Amen.


Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër, Krishti sot flet kundër hipokrizisë e praktikave fetare vetëm në pamje të jashtme. Të lutemi që të jetë në ne ndërlidhja mes akteve të jashtme dhe asaj që ndjejmë në zemër. Të themi me fe:
Na dëgjo, o Zot.
----------
1. Që barinjtë e Kishës, që sipas shembullit të Krishtit, të vënë në praktikë mësimet e Ungjillit. Të lutemi.
Na dëgjo, o Zot.
----------
2. Që autoritetet civile të kenë gjithmonë një vëmendje të veçantë për të pafuqishmit, të sëmurët, të braktisurit. Të lutemi.
Na dëgjo, o Zot.
----------
3. Që të krishterët të verifikojnë në mënyrë të qëndrueshme nëse praktikat e tyre fetare e dëshmojnë në mënyrë të jashtme fenë e tyre. Të lutemi.
Na dëgjo, o Zot.
----------
4. Për ne që marrim pjesë në këtë Eukaristi të dimë të sjellim në jetën tonë atë që besojmë. Të lutemi.
Na dëgjo, o Zot.
----------
M. O Hyj, që njeh mendjen dhe zemrën, na liro nga formalizmi dhe nga çdo hipokrizi që, duke pasur rrënjë e themele në mirësi, të adhurojmë Krishtin e t’i shërbejmë përvujtërisht në vëllezërit tanë. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.
Sipas: dehon.albania@yahoo.it www.kisha-katolike-gjakove.com







All the contents on this site are copyrighted ©.