Toni Bler në Mitingun e Riminit:"Krenar për rrënjët e krishtera, feja e shkenca janë
aleate.
(28.08.2009 RV)Në Mitingun e Riminit, që vijon, duartrokitet diskutimi i Toni
Bler, në sa flitej për marrëdhëniet ndërmjet shkencës e fesë.Identiteti judaiko-kristian
e rëndësia e Kishës katolike ishin temat kryesore në diskutimin e shumëduartrokitur,
mbajtur në Mitingun e Riminit nga ish-kryeministri britanik, Toni Bler, aktualisht
i dërguar për paqen në Lindjen e Mesme me mandatin e ‘Katërshes: OKB, Bashkim Evropian,
SHBA e Rusi’. Të shumta diskutimet edhe sot në Miting: duke nisur nga roli i qyteteve
për kapërcimin e krizës në ekonominë italiane, tek vlera e edukimit fetar – mbajtur
si zakonisht, prej personalitetesh të shquara, nga mbarë bota. “Zëri i Kishës duhet
dëgjuar, që globalizimi të mund të qeveriset, të jetë mjet e jo padron”. Thirrja është
e ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, i cili fitoi menjëherë simpatinë e të gjithë
pjesëmarrësve në Miting, duke treguar edhe rrugën e kthimit të tij në fenë katolike.
“Gjithë fajin e ka ime shoqe” – tha duke qeshur. Në qendër të diskutimit të tij ishte
pikërisht feja, që nuk i kundërvihet arsyes, përkundrazi. Bler kujtoi disa herë Enciklikën
e re të Papës “Caritas in Veritate” e foli për rrugën e tretë, atë të ndihmës, të
cilën ai është munduar ta përshkojë në Britaninë e Madhe: organizatat e shoqërisë
civile, vullnetariati, mund të bëjnë gjëra, që as shteti e as tregu nuk janë në gjendje
t’i bëjnë. Por njeriu e shteti nuk mjaftojnë: duhet feja - pohoi në mënyrë të qartë
ish-kryeministri britanik: “Faith not as magic... Një fe që nuk i ngjet magjisë,
që nuk është rrugë për t’u arratisur nga tronditjet e jetës, përkundrazi, një fe që
përbën qëllimin e vetë jetës”. Prej këndej, Bler pohoi se mund të dialogohet konkretisht,
se mund të realizohet një bashkëpunim i frytshëm ndërmjet feve, ashtu si ka bërë Fondacioni
i tij për fetë në Nigeri, ku lufton me sukses kundër malaries. Por në dialog, në shoqëritë
shumetnike, nuk duhen humbur rrënjët judaiko–kristiane – nënvizoi Bler – sepse janë
një pasuri, për të cilën duhet të jemi krenarë. Globalizimi – shtoi ish-kryeministri
- merr kuptim vetëm në se mbahemi fort pas identitetit të formuar në rrjedhë shekujsh
– dhe e vijoi diskutimin e tij, me theksin mbi situatën në Tokën Shenjte, duke nënvizuar
domosdoshmërinë e krijimit të dy shteteve, me besim reciprok.. “Ta bësh Tokën Shenjte
vend të fesë e të paqes, do të ishte simboli më i madh i pajtimit për mbarë botën”
– përfundoi mes duartrokitjeve të publikut vigan prej 10 mijë vetësh.