2009-08-28 18:22:39

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Fe e dashuri” .


(28.08.2009 RV)Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e njëzetekatërt të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, e Lumja shqiptare na bën një ftesë me rëndësi të dorës së parë për jetën tonë shpirtërore, ftesë që Kisha e përsërit vazhdimisht: na fton të ecim në rrugën e shenjtërisë. E, duke mos u mjaftuar vetëm me ftesën, na tregon edhe ç’duhet të bëjmë, për të synuar amshimin: të lutemi, të besojmë, të duam! Fe e dashuri’ – me këto fjalë mund ta përmbledhim sot ftesën e Themelueses së Motrave të Bamirësisë:

“Të jeni të shenjtë: nuk kërkoj tjetër nga ju.
Rruga për shenjtëri është lutja.
Duhet të besojmë, ta bëjmë fenë tonë të prekshme e të gjallë, përmes dashurisë.
Filloni, secili nga shtëpia e vet.
Është më e vështirë t’i duash njerëzit e shtëpisë sate, të afërmit, sesa të largëtit.
Duani!
Duajeni Jezusin në të afërmin.
Shërbejeni në të tjerët.
Duani, deri në dhimbje.
Dashuria e vërtetë dhemb gjithnjë.
Por pikërisht për këtë arsye është e vërtetë, e pastër.
Të lutesh, do të thotë të flasësh me Zotin.
Ai na flet e ne e dëgjojmë.
Ne flasim e Ai na dëgjon.
Një proces i dyfishtë i fjalës së thënë e i fjalës së dëgjuar.
Përsëriteni shpesh këtë lutje shigjetore: “Jezus, besoj me gjithë zemër në dashurinë tënde të ëmbël e të dua me gjithë shpirt!”.
Sa më shumë të lutemi, aq më lehtë do ta kemi për të bërë diçka të mirë.
Sa më e lehtë të bëhet për ne lutja, aq më shumë do të lutemi.
Kërkojuni meshtarëve të famullisë suaj t’ju mësojnë të luteni.
Kërkoni e do t’ju mësojnë me kënaqësi.
Thojeni Atynën dalë-nga-dalë. Duke e medituar në lidhje me të përditshmen tuaj, me njerëzit që ju rrethojnë në familje, në vendin e punës, në çastet e prehjes.
Lutuni në shtëpitë tuaja ditë për ditë.
Në se nuk keni shumë kohë, lutuni së paku për pesë minuta.
Përpiquni ta ktheni çdo veprim në lutje falënderimi drejtuar Zotit, kudo që të jeni: në punë e në shtëpi, në rrugë e në shëtitje e, sidomos, në gjunjë para tabernakullit, në Kishë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.