2009-08-28 18:20:49

Në Shqipëri zyrtarisht janë 29 raste të prekura nga virusi i gripit A(H1N1).


(28.8.2009 RV)Numri zyrtar i rasteve të prekura nga virusi i gripit A (H1N1) në Shqipëri është 29, ndërkohë që priten përgjigjet e analizave edhe për 9 raste të tjera të dyshuara. Sipas Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, përgjigjet e mostrave të dërguara në Laboratorin e Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht (Rumani), priten të mbërrijnë javën e ardhshme.
Rastet e konfirmuara të prekura nga virusi A (H1N1) janë kryesisht të formës së lehtë dhe të mesme, por ndër to ka pasur dhe forma të rënda të shfaqjes së virusit. Personat e prekur, një pjesë e të cilëve të shëruar, janë trajtuar dhe po ndiqen në vazhdimësi nga mjekët specialistë në Tiranë dhe rrethe, ku janë regjistruar rastet.
Por ISHP, në buletinin e saj konfirmon se në Shqipëri nuk ka vdekje nga ky lloj virusi deri më tani.
Ndër rastet e dyshuara ka qënë dhe një pacient 45 vjeçar, i cili ka shfaqur shenja të gripit të zakonshëm, të tipit A. ISHP konfirmon se pacienti ka rezultuar të jetë i prekur me virusin e gripit A, nga analizat e kryera në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, ndërsa mostrat janë dërguar në Laboratorin e Referencës në Rumani për t'u analizuar për të përcaktuar nëntipin.
"Pacienti ka ardhur rreth 10 ditë më parë nga Italia dhe vuan nga një insuficiencë multiorganike, probleme të mëlçisë, por përballja me problemet respiratore me ardhjen në Shqipëri kanë rënduar gjendjen e tij shëndetësore", tha sot për ATSH-në Alban Hatibi, shef i reanimacionit në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive "Shefqet Ndroqi".
Sipas tij, pacienti i cili ndodhet në reanimacion, mbahet në frymëmarrje artificiale, ndërsa trajtimi medikamentoz me Tamiflu ka nisur rreth 2-3 ditë më parë, krahas medikamenteve të tjera.
Instituti i Shëndetit Publik ka analizuar deri tani 498 mostra të marra në të gjithë Shqipërinë. Numri më i madh i mostrave është marrë në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, 250 të tilla, 59 mostra janë marrë në Spitalin Pediatrik në QSUT, 39 nga Poliklinikat në Tiranë, etj.
Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25 - 44 vjeç. Ndërkohë, vihet re një numër më i vogël mostrash të marra në moshën pediatrike, moshë mjaft e rëndësishme, duke patur parasysh që dhe numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet në këtë grup moshe.
Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit, analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Si pasojë e rikonstruksionit të laboratorit të virologjisë në Shqipëri, konfirmimi për llojin e virusit, në lidhje me origjinën nga derri dhe për nëntipin, kryhet pranë Laboratorit të Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht, ku dërgohen mostrat e mundshme, por edhe të dyshuara. Nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.