Kardinali Tarçizio Bertone në Akuila për kremtimet e ndjesës Çelestiniane.
(28.08.2009 RV)Me ftesën e kryeipeshkvit
të Akuilës, imzot Gjuzepe Molinari e të Komitetit për Ndjesën Çelestiniane, Sekretari
i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, ishte sot në qytetin e Akuilës,
për t’i përcjellur përsëri popullsive të dëmtuara nga tërmeti, afërsinë, kujdesin
e përzemërsinë e Atit të Shenjtë. Në orën 18. 00 kardinali Bertone kryesoi Meshën
solemne, me të cilën u hapën kremtimet e Ndjesës së 715-të Çelestiniane. Gjatë homelisë,
Hirësia e Tij theksoi se falja është forca e Kishës për të fituar mbi të keqen e,
njëkohësisht, edhe rruga e zgjedhur nga Benedikti XVI për t’i propozuar në mënyrë
bindëse shoqërisë bashkëkohore t’ia rihapë zemrën Zotit. “Në përfundim të kremtimit
– lexohet në një notë të Sallës së Shtypit të Vatikanit kryeipeshkvi pati menduar,
në fillim, të organizonte një darkë, si shenjë falënderimi ndaj Sekretarit të Shtetit
të Vatikanit, ipeshkvijve dhe autoriteteve civile, për t’u shprehur kështu mirënjohjen
për praninë dhe për veprimtarinë në ndihmë të viktimave të tërmetit. Por më pas u
vendos që darka të mos bëhet e shpenzimet të përdoren për të vijuar kontributin për
banorët e dëmtuar nga tërmeti. Paradite Sekretari i Shtetit të Vatikanit vizitoi
Komandën provinciale të Zjarrfikësve, të cilëve u shprehu vlerësimin e mirënjohjen
për impenjimin e tyre të jashtëzakonshëm. E, për të shmangur ndonjë keqkuptim të
mundshëm – përfundon nota e Sallës së Shtypit - kryeministri Silvio Berluskoni delegoi
si përfaqësues të qeverisë italiane, zevendës-sekretarin e kryesisë së Këshillit të
Ministrave, Gjani Leta. Por, të rikthehemi tek kremtimet e sotme. Pse Sekretari
i Shtetit të Vatikanit sivjet vendosi të marrë pjesë personalisht në kremtimet e faljes
apo të Ndjesës Çelestiniane? Përgjigjetvetë kardinali Bertone në një intervistë kushtuar pikërisht pranisë së tij
në këto kremtime, duke pasur parasysh se është e para herë që në to merr pjesë një
Sekretar i Shtetit të Vatikanit:
Përgjigje: - Sekretari i Shetit të
Vatikanit është ipeshkëv e, si bashkëpunëtor i parë i Papës, merr pjesë në misionin
e tij baritor për të mirën e popullit të Zotit. Pasi kremtova Meshën e Dritës për
viktimat e tërmetit, u ftova të kryesoj përurimin e Vitit Çelestinian dhe Javën VII
Liturgjike, e cila duhej të mbahej në Akuila… nën shenjën e pajtimit që rindërton
bashkimin me Zotin e me vëllezërit e shëron plagët e trupit e shpirtit. Vizita ime
është edhe shprehje e afërsisë së Papës me popullsitë abruceze, të dëmtuara nga tërmeti.
Pas vizitës së tij prekëse në Akuila, Papa ka vijuar t’i prijë veprimtarisë së Kishës,
që është shprehur me kontributet bujare të shumë dioqezave italiane e jo italiane
dhe ndjek me vëmendje veprimtarinë e institucioneve civile lidhur me ndihmat e dërguara
e me mbajtjen e premtimeve të bëra në nivel ndërkombëtar me rastin e G8.