2009-08-27 16:59:46

Pakistan: Policia denoncon të krishterët, viktima të dhunës në Gojra.


(27.08.2009 RV)Në Pakistan një grup të krishterësh në Gojra, Panxhab, që me 1 gusht ishin sulmuar nga ekstremistët, u vunë nën hetim nga policia – njofton agjencia e lajmeve AziaNjuz. Fondamentalisët islamikë me 1 gushtin që kaloi sulmuan të krishterët duke iu djegur shtëpitë e duke vrarë tetë vetë. Të nesërmen e masakrës, të krishterët akuzuan forcat e rendit se nuk ndërhynë për t’i arrestuar ekstremistët.
Tani, gjithnjë sipas agjencisë AziaNjuz, policia jo vetëm që i nuk ndaloi fondamentalistët por edhe vuri nën hetim 29 të krishterë me akuzën se janë përfshirë në trazirat e ditëve të kaluara. Në shenjestër të policëve janë vënë, ndër të tjerë, ipeshkvi anglikan Xhon Samuel i Kishës Anglikane të Pakistanit dhe Finias Pol Randaua, anëtar i këshillit bashkiak. Ndërkaq Atif Xhamil, presidenti i njërës nga organizatat joqeveritare që veprojnë në vend, e quajti vendimin e policisë si “hakmarrje” kundër vetë viktimave të dhunës.







All the contents on this site are copyrighted ©.