99 vjetori i lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, të Lumes Nënë Terezë
(26.8.2009 RV) Si sot 99 vjet më parë lindi Gonxhe Bojaxhiu, e Lumja Nënë Terezë
e cila me 19 tetor të vitit 2003 lartohet në nderime të elterit. Figura më karizmatike
e 1900-tës, Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht e u pagëzua më 27 gusht të vitit
1910, ndërsa u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor më 5 shtator të vitit 1997. Tërë jetën
ia kushtoi të mënjanuarve e të varfërve të Kalkutës e të botës mbarë, duke fituar
dashurinë e më të varfëve ndër varfër, nderimin e të pushtetshmëve e admirimin e mbështetjen
e Papëve. Nënë Tereza qe dëshmi e gjallë e dashurisë së Zotit për njeriun, sidomos
për më të varfrin e nevojtarin, i mjekoi plagët e njerëzimit të përbuzur e të mohuar.
Mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq jetën dhe dinjitetin e njeriut, e
atyre që shtypeshin e përbuzeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës
nga vota, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të harruar, por ishin të zgjedhurit
e Zotit, Atit ynë të Gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat
e vet. Nënë Tereza dëshmoi e mishëroi Ungjillin e dashurisë me dhurimin pa asnjë kusht
të vetvetes për më të varfërit, duke merituar më 1979 çmimin Nobel për Paqe. Kudo
shkoi, Nënë Tereza u përpoq të shuante etjen e Krishtit, etjen për Dashuri. Papa Gjon
Pali II e quajti „dhuratë e Zotit për Kishën e për botën“, për t’u kujtuar kështu
të gjithëve se dashuria ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen
shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të përbuzurit ndërmjet vëllezërve e motrave
tona. Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur, që lind
nga kundrimi i përhershëm i Krishtit të kryqëzuar. Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit
të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e sa shpirtërore, Misionaret
e Dashurisë, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin. Po e kujtojmë sot plot
me emocion ditëlindjen e Nënë Terezës, shërbëtoren e madhe të të varfëve. Jeta e saj
është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo deshi
të zvogëlohej sa më shumë para syve të Zotit, duke u bërë shërbëtorja e më të vegjëlve.
„Ti duhet të jesh dora e Provanisë Hyjnore kur nuk të shikon askush, në mënyrë që
ata të cilët marrin të mira e ndihmë, t’i jenë mirënjohës Zotit e jo ty“, thoshte
e Lumja Nënë Terezë. Kështu krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e ajo, simbol
i dukshëm, i prekshëm i dashurisë së Tij Hyjnore. Mori mbi vete barrën e stër-rëndë
të të gjithë të varfëve të botës, duke e ditur se kështu plotësonte vullnetin e Zotit
të vet. Ky pra është edhe thelbi i përshpirtërisë së Nënë Terezës, që i ka themelet
në dashurinë e pakufishme të Atit Qiellor për të varfërit e të braktisurit, që gjen
shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit. Kjo është edhe
forca e vërtetë mistike e mësimit që na la trashëgim e Lumja Nënë Terezë.