2009-08-25 15:09:06

Me 25 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Ludovikun (Luigjin IX), Mbret i Francës


(25.8.2009 RV)Luigji IX, sovran i Francës, lindi më 25 prill 1215 në Puasi. I kurorëzuar mbret i Francës, mori mbi vete, para Hyjit e para njerëzve, detyrën të mbronte Ungjillin. Në vitin 1244 e kapën ca ethe të forta. Si u shërua, u vu vetë në krye të një kryqëzate për çlirimin e Tokës Shenjte. Zbarkoi në Egjipt, ku i sulmoi saraçenët pranë qytetit Damista. Por ndërsa vijonte beteja, në ushtrinë e tij u përhap me shpejtësi murtaja, nga e cila u prekën me qindra vetë, e edhe mbreti. Posa u shërua, vijoi sulmet kundër turqve, por u mund, u kap e u trajtua si rob lufte. Me që u lirua, vijoi rrugën si shtegtar në Tokën Shenjte, ku kreu shumë vepra të mira.
I kthyer në Francë, qeverisi me drejtësi të krishterë e mëshirë, themeloi Sorbonën e përgatiti një kryqëzatë të re. Por sapo arriti në Tunizi, një epidemi e fortë ia shkatërroi ushtrinë. Kur ndjeu se po i afrohej vdekja, mbreti, që i përkiste Urdhrit françeskan shekullar, kërkoi ta shtrinin mbi një krevat të mbuluar me hi e me grathore, ku dha shpirt. Ishte data 25 gusht e vitit 1270.
Ludovik është variant i emrit Klodoveo. Në ikona paraqitet me simbolet e kurorës e të globit.
Martiriologu Romak e përshkruan kështu: “Shën Luigji IX, mbret i Francës, u bë i njohur për fenë e gjallë, si në kohë paqeje, ashtu edhe në luftërat për mbrojtjen e të krishterëve, për drejtësi në qeverisje, dashuri ndaj të varfërve e përballim me qëndresë të të gjitha fatkeqësive. Si mori sakramentin e martesës, pati njëmbëdhjetë fëmijë, të cilëve u dha edukatë të shëndoshë humane e fetare.
Për të nderuar kryqin, kurorën me ferra dhe varrin e Zotit, nuk kurseu mjete, forca e as vetë jetën. Vdiq nga murtaja në fushimin e tij, pranë Tunizit, në bregdetin e Afrikës veriore.







All the contents on this site are copyrighted ©.