2009-08-25 19:33:04

I kushtohet misionit tek njerëzit, takimi vjetor i ish-studentëve të Papës


(25.8.2009 RV)Që nga data 28 deri më 31 gusht do të zhvillohet në Kastelgandolfo, pranë Romës, takimi vjetor i ish-studentëve të Papës Racinger, kësaj radhe me temë “misionin ad gentes”.
Do të marrin pjesë 42 vetë, që kanë diskutuar tezën e diplomës me profesorin Jozef Racinger, kur Papa aktual ishte pedagog në Gjermani. Shumica vijnë nga Gjermania dhe Austria, por nuk mungojnë një italian, një protugez, një irlandez, një hollandez, një afrikan, një koreane, një indian dhe një kanadez. Relacionet kryesore do të mbahet nga dy profesorë, të zgjedhur nga vetë Benedikti XVI, dhe kanë si temë: “Misioni ad gentes, justifikimi dhe forma e tij sot” si edhe “Kisha e misioni në dialog me njerëzit e feve e të kulturave të ndryshme”.
Takimi i parë i Papës me ish-studentët e vet u zhvillua në mars të vitit 1977, kur qe emëruar kryeipeshkëv i Mynihut dhe i Frizingës. Që atëherë, seminari veror zhvillohet çdo vit, mbi bazën e një teme të caktuar dhe Papa deshi që tradita të vazhdojë edhe pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Këtë vit është krijuar edhe rrethi i atyre studentëve që e kanë mbrojtur dipllomën mbi bazën e teksteve të Jozef Racinger..







All the contents on this site are copyrighted ©.