2009-08-24 15:40:58

Çelësi i fjalëve të Kishës: kuptimi i "frymëzimit hyjnor"


(24.08.2009 RV)“I tërë Shkrimi Shenjt, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi”. Kështu shkruante Shën Pali Apostull në letrën e dytë dërguar dishepullit të vet Timoteut (II, 3,16). Ndërsa në Letrën e dytë të Shën Pjetrit theksohet se “askurrë nuk ndodhi ndonjë profeci me vullnet të njeriut, por njerëzit, të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, folën nga ana e Hyjit” (1,21).
Gjithnjë ka ekzistuar vetëdija se në Shkrimin Shenjt lexojmë fjalën e Zotit, të shprehur përmes fjalëve të njerëzve. Mesazhi i përjetshëm i Zotit mishërohet në gjuhën e njerëzve, që merr kështu trajtat e një komunikimi më të lartë, pavarësisht se të lidhur me historinë dhe kulturën e epokës. Frymëzimi – kështu është quajtur nga teologët ky proces – paraqitet mjaft i ndërlikuar, pasi, nga njëra anë, duhet të shprehë lirinë hyjnore dhe vullnetin e Zotit, por nga ana tjetër, duhet edhe të ruajë lirinë e njeriut të zgjedhur për të komunikuar vullnetin suprem.
Frymëzimi, i konceptuar si shfaqje e vullnetit të Hyjit, ka qenë shpesh një argument debatesh të ashpra, pasi ka të bëjë drejtpërdrejt me atë që mund të quhet e zbuluar nga Zoti në Shkrimin Shenjt. Domethënë, cilat janë shkrimet dhe personat, me të vërtetë të frymëzuar nga Zoti? Edhe këtu, është Shpirti Shenjt ai që i shndrit njerëzve mendjen për të vendosur sa duhet shtrirë Fjala e zbuluar, duke shmangur çdo devijim, ose falsifikim.
Një problem tjetër i lidhur me frymëzimin hyjnor është fakti që Shkrimet e Shenjta bien shpesh ndesh me informacionin historik, apo filozofik e madje edhe me atë shkencor. Në të vërtetë, siç theksoi Koncili II i Vatikanit, në Kushtetutën “Dei Verbum”, Bibla na komunikon të vërtetën shëlbuese, duke e shprehur me një gjuhë e kulturë të epokës kur është shkruar. “Librat e Shkrimit Shenjt – thuhet në Kushtetutë – na mësojnë me siguri, me besnikëri dhe pa gabime të vërtetën që Zoti, për shpëtimin tonë, deshi ta zbulojë përmes Letrave të Shenjta” (n.11).
Frymëzimi hyjnor, pavarësisht së është një argument i vështirë për teologët, na çon gjithnjë tek ajo që shprehet më së miri me fjalët e profetit Isaija: “Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua…; më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e mirë” (Isaija 61,1).







All the contents on this site are copyrighted ©.