2009-08-24 15:39:50

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Biletë për dy vetë”.


(24.08.2009 RV)Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e njëzetë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, Motra e madhe shqiptare, na jep përsëri një mësim të madh: na zbulon, me një humor të hollë, avantazhet që krijon varfëria e plotë, nën vartësinë absolute të Provanisë Hyjnore, gjithnjë në shoqëri të Zojës së Bekuar. Biletë për dy vetë” – titullohet tregimi i saj i sotëm:

“Një ditë, me rastin e njërit nga udhëtimet e mia përmes Shteteve të Bashkuara, shkova për vizitë tek kryeipeshkvi, imzot Fulton Shin, i shtruar në spital me një sëmundje të rëndë.
Më lanë ta takoj, por me kusht që të mos e bëja të flasë.
Dukej tejet i ligësht.
I dhashë një shtatore të vogël të Zojës, që e kisha në çantë.
Ai e mori dhe e puthi.
Unë mbaj gjithnjë në çantë një shtatore të Zojës së Bekuar.
Nganjëherë, për ndonjë arsye të posaçme, ia dhuroj ndokujt.
Por më pas siguroj menjëherë një tjetër.
Zoja më shoqëron gjatë shtegtimeve të mia.
Me rastin e themelimit të njërës nga shtëpitë tona, i kërkova ipeshkvit të më dhuronte një shtatore të Zojës së Mrekullueshme.
Ipeshkvi ma dhuroi menjëherë shtatoren, të vendosur në një arkë të madhe.
Unë kisha një biletë treni, ku ishte shënuar: “Për Nënë Terezën e një shoqëruese të saj”.
Kontrollori deshi të më bëjë të paguajë për arkën, ku ndodhej shtatorja, po unë kundërshtova:
“Bileta është për mua e për shoqëruesen time – i thashë – Shoqëruesja ime është pikërisht kjo shtatore e Zojës”.
E atëherë më lejuan të shtegtoj me Shoqëruesen time, pa paguar për arkën, që peshonte shumë më rëndë, se një shoqëruese e zakonshme.
Disa nga shoqëritë e fluturimeve ajrore na japin bileta falas për shtegtimet tona të vazhdueshme.
Deri pak kohë më parë na jepte vetëm Ejr India, por kohët e fundit po e bëjnë këtë edhe shoqëritë e tjera ajrore.
Një herë morëm gjashtë bileta falas për një shtegtim ndërkombëtar, e unë nisa gjashtë motra me një barrë prej pesëqind kilogramësh.
Për një çast, nëpunësit mbetën me gojë hapur nga habia. Ishte hera e parë që u ndodhte një gjë e tillë, nga që pesha e lejuar për fluturime të tilla ishte vetëm 20 kilogram për kokë.
Mirëpo bileta nuk përcaktonte kurrfarë peshe. Shkruhej vetëm: “Gjashtë motra me bagazhet e tyre”.
Prandaj përfituam për të marrë me vete batanije, ilaçe, enë: gjithçka ishte e nevojshme për hapjen e një qendre për të varfërit.
Merreni me mend pamjen që morën fytyrat e nëpunësve, kur motrat u paraqitën në sportel, të ngarkuara secila me ‘plaçkat e veta’. Por askush nuk i pengoi, as ata e as atë gjysëm kuintali, që arriti shëndosh e mirë atje ku duhej.
E kush nuk zbulon, në këto avantazhe që na krijon varfëria e plotë, vartësinë absolute nga Provania Hyjnore?”.







All the contents on this site are copyrighted ©.