2009-08-24 15:35:53

Papa në Engjëllin e Tënzot: edhe sot shumë njerëz shkandullohen nga feja e krishterë, sepse kërkon të bësh gjithë jetën vullnetin e Krishtit.


(24.08.2009 RV)RealAudioMP3 Edhe sot e kësaj dite feja e krishterë shkandullon e ka nga ata, që përpiqen t’ia përshtasin kohës e edhe nga ata, që e braktisin. Vetëm duke e lëshuar plotësisht veten në dorë të Zotit, mund të gjejmë lumturinë e vërtetë. Këtë theksoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo. T’i lutemi Virgjërës Mari – shtoi Benedikti XVI – ta mbajë gjithnjë gjallë në shpirtin tonë këtë fe plot dashuri, që e bëri Atë, Vashën e përvujtë të Nazaretit, Nënë të Zotit e model për të gjithë besimtarët.
 
U prit me një një stuhi duartrokitjesh nga të pranishmit, shakaja e Papës për pasojat e aksidentit në kyçin e dorës së djathtë, sapo të liruar nga allçia:
“Të dashur vëllezër e motra, po e shikoni se dora është liruar nga allçia, por është akoma paksa përtace. Duhet të vijoj edhe për ca kohë shkollën e durimit, po le të vijojmë!”.
Benedikti XVI kujtoi, më pas, se në Ungjillin e djeshëm Jezusi u kërkoi dishepujve t’i kushtohen plotësisht planit të Tij të shëlbimit. Por shumë prej tyre, pasi e ndoqën për një copë udhë, u kthyen prapa. Edhe në botën e sotme – vërejti Papa – jo pak njerëz shkandullohen nga paradoksi i fesë së krishterë:
Mësimi i Jezusit duket i rëndë, i vështirë për t’u pranuar e aq më tepër, për t’u vënë në jetë. Disa, atëherë, e mohojnë dhe e braktisin Krishtin; të tjerë kërkojnë t’ia përshtasin fjalën e Tij modave të kohës, duke ia shtrembëruar kuptimin e vlerën”.
Më pas Papa u drejtoi besimtarëve të njëjtën pyetje, që Jezusi ua pati bërë apostujve:
“A doni të shkoni edhe ju? Ky ngacmim shqetësues jehon përsëri ndër zemra e kërkon nga secili prej nesh përgjigje personale. E Jezusi nuk kënaqet me qëndrime të cekta e formale, nuk i mjaftojnë disa hapa entuziaste pas tij; përkundrazi, duhet të mendosh si Ai e të bësh vullnetin e Tij për gjithë jetën”.
Ecja në gjurmët e Krishtit, pra, duhet të vijojë gjithë jetën: “Ndjekja e Zotit – shpjegoi Ati i Shenjtë – ta mbush zemrën me gëzim e i jep kuptimin më të plotë jetës sonë, pa harruar se nuk është aspak e lehtë, se kërkon të heqim dorë nga shumë sende e se tepër shpesh duhet të shkojmë kundër rrymës. “Doni të shkoni edhe ju? – Pjetri përgjigjet, në emër të apostujve, duke shprehur besimin e tij të plotë në fjalët e Zotit, fjalë të jetës së amshuar!”.
“Të dashur vëllezër e motra, edhe ne mund ta përsërisim përgjigjen e Pjetrit, të vetëdijshëm, natyrisht, për brishtësinë tonë njerëzore, por plot besim në forcën e Shpirtit Shenjt, që na flet e na duket në bashkim me Jezusin”.
Feja – shtoi Papa – është dhuratë që i bën Hyji njeriut e, njëkohësisht, lëshim i lirë e i plotë në dorë të Zotit; feja është dëgjim i bindur i fjalës së Zotit, i cili është llambë për hapat tonë e dritë mbi rrugën tonë:
"Në se ia hapim plot besim zemrën Krishtit, në se e lëmë të na pushtojë, mund të provojmë edhe ne, së bashku me Famullitarin Shenjt të Arsit, se e vetmja lumturi mbi këtë tokë është ta duash Zotin e ta dish se edhe Ai të do”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dje, në Rimini të Italisë, hapej Mitingu XXX i miqësisë ndërmjet popujve, sivjet me temë: “Njohja është gjithnjë ngjarje”:
“Duke i drejtuar një përshëndetje të përzemërt të gjithë atyre, që marrin pjesë në këtë takim domethënës, uroj të jetë rast i përshtatshëm për të kuptuar se njohja nuk është thjeshtë veprim material, sepse… në çdo njohje e në çdo akt dashurie, zemra e njeriut provon diçka, që i ngjet marrjes së një dhurate, e cila e larton shpirtërisht”.
Së fundi Papa i përshëndeti të gjithë besimtarët e pranishëm në Kastel Gandolfo për lutjen e Engjëllit të Tënzot:Të gjithëve ju uroj të dielë të gëzuar e javë të gëzuar! Ju falënderoj për praninë tuaj!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.