2009-08-24 15:36:11

Dita I evropiane në kujtim të viktimave të stalinizmit e të nazizmit.


(24.08.2009 RV)Dje u përkujtua 70-vjetori i paktit të mossulmimit, nënshkruar nga Bashkimi Sovjetik e Gjermania naziste. Një besë e lidhur ndërmjet dy totalitarizmave kryesore, që u thye shumë shpejt, për t’i hapur rrugën konfliktit II botëror. Parlamenti evropian zgjodhi pikërisht 23 gushtin, për të propozuar një Ditë evropiane në kujtim të viktimave të regjimeve totalitare, pa bërë kurrfarë dallimi ndërmjet tyre. I paanshëm, pra, ky propozim, mbi kuptimin e të cilit flet, në mikrofonin tonë, Ennio di Nolfo, historian e pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universitetit të Torinos:

Përgjigje: - Me sa duket Lufta II Botërore i çrrënjsoi me të vërtetë dy nga format më të rëndësishme të totalitarizmit: nazizmin e fashizmin Por nuk duhet harruar se nga kjo luftë, doli i fuqizuar stalinizmi, domethënë komunizmi sovjetik e se, edhe sot e kësaj dite në të katër anët e botës vijojnë të riduken forma të totalitarizmit, më pak ose më shumë të qarta, më pak ose më shumë transparente.

Pyetje: - Ju jeni historian, domethënë profesionist i kujtesës kolektive. Pse kemi nevojë edhe sot t’i kujtojmë viktimat e komunizmit?

Përgjigje: - Në se mund të flitet për ‘nevojë’, kjo ka të bëjë me situata tranzicioni të vështirë, ose me raste kur jemi përballë një fuqie, që përpiqet t’i shtypë të tjerët.

Pyetje: - A mund ta konsiderojmë të rrezikshëm harrimin e totalitarizmave evropiane, që shkatërruan jetën e miliona njerëzve?

Përgjigje: - Unë mendoj se lindja, ekzistenca e Bashkimit Evropian, duhet të jetë një lloj mbrojtjeje, një lloj garancie, që na siguron se format e totalitarizmit nuk duhet të përsëriten kurrë më, as në raste dramatike, domethënë në raste shpërthimi krizash ekonomike ose politike. Por, në se i hedhim një sy mbarë Evropës së integruar, nuk shikojmë asnjë vend në të cilin ka rrezik të lindë një totalitarizëm i ri. Ndoshta në skajet e Evropës, ndërmjet kandidatëve – pa përmendur emra - nuk mungojnë vende, ku totalitarizmi ka bërë fole e ku, në një farë kohe, mund edhe të bëhet pyetja: do të ndjekim rrugën bashkimit, apo të shpërbërjes së brendshme?







All the contents on this site are copyrighted ©.