2009-08-23 12:15:10

U kremtua sot Dita evropiane për kujtimin e viktimave të totalitarizmit.


(23.08.2009 RV)U kremtua sot, për herë të parë, Dita evropiane për kujtimin e viktimave të totalitarizmit, miratuar nga Parlamenti evropian më 2 prillin e kaluar, për të nderuar kujtimin e viktimave të regjimeve antidemokratike të Evropës dhe të gjithë atyre që luftuan deri në flijimin e jetës kundër tiranisë.
Janë me mijëra, përfaqësues të bindjeve të ndryshme fetare e kulturore, nga të gjitha vendet evropiane, viktimat e nazizmit e të komunizmit. Ndërmjet tyre, qindra meshtarë, rregulltarë, rregulltare e laikë katolikë, që u mbytën në mënyra nga më të ndryshmet, duke nisur nga kampet naziste, tek ato komuniste të përqëndrimit, vetëm për shkak të urrejtjes kundër fesë së krishterë. Mjafton të kujtojmë Pajtoren e Evropës, Shën Benediktën e Kryqit (Edith Shtain) e Shën Maksimilian Kolben, për kampet naziste të përqendrimit e një pjesë të mirë të 40 martirëve shqiptarë, viktima të komunizmit, në pritje të lartimit në nderimet e elterit.
Duke marrë një vendim të tillë, Parlamenti evropian i fton shtetet anëtare të vijojnë punën për ta mbajtur gjallë kujtimin e së kaluarës, për të vënë në dukje fitoret e arritura përmes integrimit evropian dhe kontrastin ndërmjet lirisë së sotme e shtypjes tragjike të së kaluarës.Ftesë më se e arsyeshme, po të kemi parasysh se – siç thekson Konferenca Ipeshkvnore Sllovene, në një dokument të publikuar këto ditë – në opinionin publik të vendeve ish-komuniste, nazizmi e fashizmi janë dënuar njëzëri, gjë që nuk ka ndodhur me komunizmin. E kjo, për shkak se komunizmi, duke qenë në pushtet për një kohë tepër të gjatë, bëri çmos t’i mbulojë gjurmët e krimeve, njëlloj të shëmtuara, si ato të nazifashizmit. Prandaj Parlamenti evropian thekson se asnjë organ politik ose parti politike, nuk ka të drejtë ta shkruajë historinë, sepse këto organe a parti nuk mund të jenë objektive. Vendet e lindjes evropiane, ku u kryen krime aq të shëmtuara, kanë nevojë mbi të gjitha për pajtim. E s’pushojnë së foluri për pajtim. Por nuk duhet harruar se pajtimi bëhet realist vetëm mbi bazën e së vërtetës. Prandaj, para se të flitet për pajtim, duhet kërkuar pikërisht e vërteta, duhet të dalë në shesh e vërteta e paanëshme, nga e cila buron pajtimi, falja e dashuria ndërmjet njerëzve.
E gjithë kjo, që e kaluara të mos përsëritet. Sepse faktet tregojnë që në vise të ndryshme të botës, persekutimi kundër Kishës katolike e njerëzve që luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, vijon!







All the contents on this site are copyrighted ©.