2009-08-23 12:18:55

Shenjtorët e Javës se ardhshme sipas kalendarit kishtar


(23.08.2009 RV)Sot me 23 gusht Kisha katolike kremtoi të Dielën e 21-të të kohës së zakonshme gjatë viti kishtar. Përkujtoi edhe Shenjtorët Roza nga Lima, virgjër, terciare domenikane; Abondin, Ireneun e Arkelaun, martirë.

Liturgjia e së hënës përshkohet nga atmosfera festive e ardhjes së Birit të Hyjit, Mbretit të Izraelit, ndërmjet njerëzve, që nuk arrijnë ta kuptojnë, ta pranojnë e të vihen për udhë pas tij, me bindjen se vetëm Zoti është lavdia e popullit të vet. Është festa e Shën Bartolomeut Apostull dhe e Shën Gjovanës Antida Turè, virgjër, themeluese e Motrave të Dashurisë, që do të kremtohen të hënën me 24 gusht.

 
Shën Ludoviku (Luigji IX) mbret i Francës e Shën Jozef Kalasanci, themelues i Skolopëve, në festën e tyre liturgjike, të martën me 25 gusht, na kujtojnë se Zoti nuk kërkon nga besimtarët rregulla, që kanë të bëjnë me jetën materiale, por praktikimin e përditshëm të drejtësisë, të mëshirës e të besnikërisë ndaj tij.

Shën Zefirini papë e Shën Maksimiliani martir, që do të kremtohen të mërkurën me 26 gusht, me jetën e edhe me fundin e tyre, na kujtojnë se të gjithë njerëzit jetojnë në dritën e pranisë së Zotit e se prandaj duhet të heqin dorë nga hipokrizia e padrejtësia e të dëgjojnë zërin e profetëve, që flasin në emër të të Tejetlartit.

 
Në ditën e festës së saj, të enjten me 27 gusht, Shën Monika, nëna e Shën Agostinit, na kujton edhe ne, ashtu si i pati kujtuar të birit, se duhet të rrimë gjithnjë zgjuar, duke e jetuar jetën tonë me kujdes, me sytë gjithnjë të ngulur drejt cakut të mbramë.

Do të kremtohet festa e Shën Agostinit, ipeshkvit të Iponës, e doktor i Kishës (354-430) të premten me 28 gusht. Shenjti, që sundon mbi gjithë mendimin e krishterë, e nisi jetën si njeri i çkujdesur, i shthurur. Lutjet e Nënës së Tij, Monikës, i nxorën nga Zoti hirin e kthimit, që ia mbushi zemrën me dashuri. E pikërisht kjo dashuri hyjnore përshkon tej e mbanë gjithë veprën e tij teologjike e baritore .

Gjoni, i drejti, mbytet nga të padrejtit, që mbyllin veshët, për të mos dëgjuar fjalët e tij të frymëzuara nga Zoti. Ia presin kokën me bindjen se kështu do t’i mbyllet goja përgjithmonë. Po ai në shekuj vijon të na kujtojë, se Zoti është pikërisht përkrah njeriut të drejtë, që na flet edhe atëherë kur koka e tij rrokulliset nën shpatën e kundërshtarëve. E për këtë na fton të reflektojmë edhe liturgjia e së shtunësme 29 gusht, në përkujtimin e martirizimit të Shën Gjon Pagëzuesit.

E diela e ardhshme me 30 gusht bie e diela e 22-të gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.