Përfunduan kremtimet për njëmijëvjetorin e themelimit të dioqezës së Peç.
(23.08.2009 RV)Me një liturgji solemne eukaristike përfunduan sot në Hungari
kremtimet për njëmijëvjetorin e themelimit të dioqezës së Peç, që filluan më 18 gushtin
e kaluar. Riti u kremtua në Sheshin e qytetit, kushtuar Shën Shtjefnit. E kryesoi
kardinali Kristof Shënborn, kryeipeshkëv i Vjenës, i dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë.
“Një rast i përshtatshëm, që u krijon besimtarëve mundësinë të përtërijnë fenë
e dashurinë për Kishën e për Ungjillin”: kështu i shkroi Papa kardinalit Kristof
Shënborn, duke e caktuar me këtë mision. Dioqeza hungareze, që njihet edhe me
emrin ‘e pesë Kishave’, u themelua në vitin e largët 1009, gjatë papnisë së Sergjit
IV, nën sundimin e mbretit Shtjefni I (969-1038). Ceremonia e themelimit u kremtua
në kështjellën Gjërè më 23 gusht 1009, në praninë e ipeshkvit Azo të Osties, që asokohe
ishte delegat papnor. Me këtë rast u përcaktuan kufijtë e dioqezës dhe u emërua ipeshkvi
i parë, imzot Boniperti. Në vitin 1367 ipeshkvi i Pécs, Vilmos, mori nga Papa Urbani
VI lejën të themelonte të parin universitet hungarez. Nga viti 1543 deri më 1686,
qyteti u pushtua nga otomanët e iu nënshtrua një procesi të thellë islamizimi. Por,
duke nisur nga vitit 1686, banorët e këtyre trojeve u rikthyen të gjithë në fenë e
të parëve, përmes veprimtarisë ungjillëzuese të të krishterëve, që erdhën këtu nga
zona të ndryshme të Evropës qendrore. Nga gjysma e shekullit XIX u rindërtua katedralja
e Shën Pjetrit, një nga kishat neoromanike më të bukura të Evropës veriore. Kremtimi
i këtij mijëvjeçari merr një rëndësi të madhe për Peç, edhe pse më 2010 do të ketë
titullin ‘Kryeqytet Evropian i Kulturës”. Ngjarje kjo, që dëshmon qartë sa thellë
shtrihen rrënjët e Ungjillit në historinë e mbarë Evropës. E kjo na nxit t’u rikthehemi
disa prej meditimeve të Papës për rrënjët e krishtera të Kontinentit të Vjetër.