2009-08-23 12:20:36

Kardinali Uroza: të rinjtë venezuelanë kanë nevojë për mësimin e besimit në shkollë.


(23.08.2009 RV)“Të rinjtë kanë nevojë për mësimin e besimit në shkollë, ashtu si kanë nevojë për mësimin e fizikës, për artet e për lëndë të tjera, që i ndihmojnë të përgatiten në mënyrë të gjithanëshme, për të ecur me siguri në rrugën e jetës”. Kështu iu përgjigj këto ditë kryeipeshkvi i Karakasit, kardinali Horhe Uroza, pyetjeve të gazetarëve, pak orë pas hyrjes në fuqi të ligjit mbi rishikimin e sistemit edukativ, që e përjashton mësimin e besimit nga programet shkollore. “Është një vendim, që duket i diskutueshëm nga pikëpamja ligjore, sepse dispozita parashikohet në një ligj të miratuar e tani, edhe të garantuar, nga neni 59 i Kushetutës”. Për kryeipeshkvin e Karakasit, ligjet duhet ta bashkojnë, jo ta përçajnë kombin e të shprehin konsensusin kombëtar. E kjo, sepse një pjesë e mirë e venezuelanëve po i kundërvihen këtij vendimi, duke kërkuar të miratohet përfundimisht vetëm pas një referendumi mbarëpopullor.
Ndërkaq grupe të vogla simpatizantësh të regjimit kanë nisur të sulmojnë Kishat, të prishin atmosferën e Meshëve, të brohorisin në Kishë për presidentin Çavez e për rishikimin nga ana e tij të sistemit edukativ në vend. Për më tepër, është shpërndarë edhe një tekst me titull: “Hjerarkia katolike është tradhtare e armike e popullit”; “Ipeshkvijtë janë kundër kombit” – parulla që të kujtojnë persekutimet e vjetra e të reja kundër Kishës katolike, barinjve e besimtarëve të saj, të cilët tani, në Venezuelë, kanë frikë edhe nga sulmet fizike.
Pas këtyre fakteve, një pjesë e mirë e shtypit venezuelan i është kundërvënë qëndrimeve të tilla dhe ka kërkuar nga autoritetet dënimin e autorëve të akteve të papërgjegjshme e krejtësisht të huaja për ndjenjat fetare të vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.