2009-08-23 12:21:24

Indi: dita e paqes një vit pas dhunës kundër të krishterëve. Imzot Makado: “Gëzimi i motrave të Nënë Terezës, dhuratë e madhe që jep Kisha”.


(23.08.2009 RV)Në Indi ka kaluar një vit nga koha kur nisi dhuna e fanatikëve hinduistë kundër të krishterëve, që i kushtoi jetën 123 personave. Bashkësia e krishterë e vendit e kremtoi këtë kryevjetor të dhimbshëm me një Ditë kushtuar e paqes e harmonisë. U përgatit për këtë kremtim domethënës me lutje e takime. Dita e sotme, shpallur nga Konferenca ipeshkvnore indiane, ishte edhe një rast i përshtatshëm për të përsëritur impenjimin e të krishterëve për paqen. E këtë e thekson edhe ipeshkvi i Nashikut, imzot Feliks Entoni Makado, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Me Ditën e paqes e të harmonisë, duam t’u japim njerëzve edhe këtë sinjal: të ndërtosh paqen, do të thotë të promovosh klimën e harmonisë në vend. Të krishterët, si gjithmonë, do të impenjohen të parët për paqen.

Pyetje: - Cilat janë pengesat në rrugën për vendosjen e paqes?

Përgjigje: - Gjendja nuk është normalizuar plotësisht. Mbetet gjithnjë frika, pasojë e asaj që ngjau. E kjo, sepse goditja ishte me të vërtetë e fortë. Megjithatë, përvoja jonë gjatë këtij viti tregon se nuk mungojnë përmirësimet: sot shumë njerëz janë kthyer në shtëpitë e tyre. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit qenë pozitive. Edhe në Orisë, partia hinduiste mbeti e izoluar. Me këtë qeveri nuk favorizohet asnjë fe, por as nuk diskriminohet. Forca jonë mbetet gjithnjë Ungjilli i Krishtit, prania e Kishës, Korp i Krishtit. Prandaj e bëri këtë thirrje Kisha indiane.

Pyetje: - Feja e Kryqi i Krishtit janë forca e vërtetë e të krishterëve, posaçërisht në vende, ku sundon varfëria e dhuna. Ç’fryte sjell mes jush kjo forcë?

Përgjigje: - Në këtë çast ndodhem në një nga shtëpitë e motrave të Nënë Terezës. Rreth meje kam njerëz të mjerë, të braktisur, të harruar nga shoqëria. Buzëqeshjet dhe gëzimi i motrave të Nënë Terezës janë një nga dhuratat më të mëdha që po japim ne, si Kishë. Është një shërbim që e bëjmë për këto njerëz me gjithë gëzimin e zemrës, me vetëdijen se nuk ka gëzim, pa vuajtje. Ky është misteri i Kryqit të Krishtit: Kisha është plot dashuri, prandaj edhe do të vuajë gjithnjë!

Pyetje: - Mendoni se persekutimi mund t’i zhdukë gjurmët e krishterimit?

Përgjigje: - Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Shumë kanë provuar ta shlyejnë, me persekutim, krishterimin, por shpejt e kanë kuptuar se një gjë e tillë është pamundur, sepse gjaku i martirëve do të jetë gjithnjë farë e të krishterëve të rinj.







All the contents on this site are copyrighted ©.