Benedikti XVI e meshtarët, në Vitin që u është kushtuar.
(23.08.2009 RV)Viti Meshtarak,
shpallur nga Benedikti XVI për t’i dhënë një shtytje të re impenjimit të përtëritjes
shpirtërore të të gjithë meshtarëve, për një dëshmi ungjillore më të fortë e më energjike
në botën e sotme, do të mbyllet në vitin 2010 me takimin ndërkombëtar të meshtarëve,
përqendruar tek tema: “Besnikëria e Krishtit, besnikëria e meshtarit”. Do të hapet
më 9 qershor në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës me një konferencë
mbi ‘Shndërrimin e misionin”, do të vijojë të nesërmen në Bazilikën e Shën
Marisë së Madhe, me reflektimin mbi temën “Çenakulli: lutje drejtuar Shpirtit Shenjt
me Marinë, në bashkim vëllazëror” e të premten, me reflektimin: “Me Pjetrin,
në bashkim kishtar”. Ati i Shenjtë do të kryesojë, në përfundim, Meshën Shenjte në
Bazilikën e Vatikanit, duke mbyllur Vitin Meshtarak, shpallur me rastin e 150-vjetorit
të vdekjes së Famullitarit të Arsit, Shën Gjon Maria Vianejt. Po Viti kushtuar
Meshtarëve sapo ka filluar e Papa e ka në qendër të vëmendjes formimin e tyre, sepse
pa të, ungjillëzimi i ri rrezikon të mbetet thjesht parullë. Këtë Benedikti XVI e
theksoi në audiencën e përgjithme të së mërkurës së kaluar, kushtuar Shën Gjonit Eudes,
apostull i palodhshëm i devocionit për Zemrën e Krishtit e të Zojës së Bekuar, duke
ngulmuar posaçërisht tek formimi intelektual e shpirtëror i meshtarëve, të cilët duhet
t’ia kushtojnë plotësisht mendje e zemër misionit meshtarak. Në se Kisha nuk ka meshtarë
të përgatitur – mendon Papa - njerëzve do t’u mungojë ndihma e domosdoshme shpirtërore.
Prandaj edhe sot vërehet nevoja që meshtarët ta dëshmojnë mëshirën e pakufishme të
Zotit, me një jetë të pushtuar nga Krishti, e ta mësojnë këtë që në vitet e përgatitjes
së tyre në seminar.