Sot me 22 gusht kalendari Kishtar kremton festën e Shën Marisë Mbretëreshë
(22.08.2009 RV) Festa e sotme, që përkon me atë të Krishtit Mbret, u themelua
nga Piu XII në vitin 1955. Para reformimit të kalendarit liturgjik, kremtohej më 31
maj, si kurorëzim i devocionit të veçantë marian në muajin që i kushtohet Zojës së
Bekuar. Ndërsa 22 gushti i takonte Zemrës së Papërlyer të Marisë. Pikërisht në këtë
datë u caktua festa e Marisë Mbretëreshë, për t’i afruar pushtetin mbretëror të Virgjërës
me lumnimin e saj përmes Ngjitjes në Qiell. Ky vend krejt i veçantë, pranë Krishti
Mbret, vjen nga një numër i madh titujsh, të cilët shpjegohen nga Piu XII në letrën
enciklike ‘Ad Coeli Reginam’(11 tetor 1954), duke nisur nga titulli
Nëna e Kokës dhe e gjymtyrëve të korpit mistik, për të vijuar me titullin ‘Perandoreshë
e Shenjtë e Mbretëreshë e Kishës’, që e bëjnë pjesëtare jo vetëm të pushtetit mbretëror
të Krishtit, por edhe të ndikimit të tij jetik e shenjtërues mbi gjymtyrët e Korpit
mistik. Në latinisht fjala ‘regina’ (mbretëreshë) ashtu si fjala ‘rex’ (mbret),
rrjedhin nga folja ‘regere’ (të mbretërosh, të sundosh). Po ta shikosh me syrin
njerëzor, është e vështirë t’i japësh Marisë një rol sundues. Si mund ta shikosh si
sundimtare, Atë që e shpalli veten shërbëtore e Hyjit e që e kaloi gjithë jetën në
fshehtësi e në heshtje? Luka, në Veprat e Apostujve, e përshkruan Marinë pas ngjitjes
së Krishtit në qiell, në mes të të Njëmbëdhjetëve, gjithnjë duke u lutur. E urdhërat
nuk i jep ajo, por Pjetri. Megjithatë në këtë rrethanë, ajo është hallka që i mban
këta burra, ende të papërforcuar nga Shpirti Shenjt, të lidhur ngushtë me të Ngjallurin.
Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse
shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. E kësaj mbretëreshe i falen kombet e
popujt, poetët e artistët e të gjitha kohëve, e edhe poeti anonim shqiptar, që i këndon:
“T’ falem, Mbretneshë, e bukura! Mbi krye tand ndritë
kunora, Që e popujve edhč e kombeve Desht me vendue dora, Kah
n’ ahte t’ njëmijë zemrave, Toka ty t’ thotë se t’ don!”.