2009-08-21 17:13:22

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Ah, këto intervistat!”.


(21.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e tetëmbëdhjetë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, e Lumja e parë shqiptare na flet për shqetësimin e thellë që i shkaktojnë intervistat. Na bind se e ka më të lehtë të mjekojë një të gërbulur, sesa të japë një intervistë. Në një botë ku çdo ditë jepen e merren mijëra intervista, shkëmbehen mijëra fjalë, do të ishte më e dobishme të mjekohej një i gërbulur, apo të merrej a të jepej një intervistë? Por, sa e vështirë është të shkëmbehet dhënia e një interviste me prekjen plagëve të shkaktuara nga gërbula, nga të cilat buron gjak e qelb! Prandaj edhe kur iu desh të jepte një nga intervistat më të rëndësishme, në tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, Nënë Tereza foli në një mënyrë krejtësisht të padëgjuar në atë sallë, që ka parë e ka dëgjuar mendjet më të ndritura të njerëzmit:

“Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit.
Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë.
Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje.
Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë:
“Me që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen”.
E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Françeskut: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve.
Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël.
Më pas fola për abortin e thashë:
“Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”.
Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë më tha:“Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!"







All the contents on this site are copyrighted ©.