2009-08-21 17:48:45

Kisha sllovene:bashkë me nazizmin e fashizmin të dënohet edhe komunizmi


(21.8.2009 RV)Me 2 prill të këtij viti parlamenti evropian propozoi që 23 gushti të shpallet Dita Evropiane e viktimave të stalinizmit dhe të nazizmit. Me këtë rast Komisioni i “Drejtësi dhe Paqe” i Konferencës Ipeshkvnore sllovene i bëri thirrje opinionit publik slloven me anë të një dokumenti, që krahas diktaturës fashiste e naziste të dënojë edhe atë komuniste.
“Ne sllovenët – thuhet në dokumentin që mban firmën e Imzot Antonio Stres, kryeipeshkëv ndihmës i Mariborit – jemi nga ata popuj evropianë që kanë vuajtur njëlloj nga terrori dhe dhuna fashiste, naziste ashtu si edhe nga ajo komuniste. Por ndërsa dy të parat dënohen me vendosmëri e treta ngurrohet të dënohet pa mëdyshje.“Motivet - lexohet në tekst - janë të ndryshme. I pari është një konstatimin i faktit se komunizmi në Slloveni ka mbetur në pushtet për shumë kohë, duke fshehur fytyrën e vet të vërtetë. I dyti Parlamenti Evropian është i qartë kur thotë se “asnjë organ politik apo parti politike nuk e ka të drejtën ekskluzive të shpjegimit të historisë” e që “ këto organe e parti nuk mund të pohojnë se janë objektive”. “Kohët fundit – vijon dokumenti – vihet re një prirje për ta rehabilituar të kaluarën tonë komuniste dhe udhëheqësit komunistë, duke i zvogëluar krimet e kryera nga ata.
T’ia kushtosh rrugën kryesore të Ljubljanës përsëri Titos dhe të vazhdosh t’i ruash emrat e vjetër të rrugëve dhe të shesheve që iu janë kushtuar udhëheqësve komunistë, bie në kundërshtim me letrën dhe me frymën e Deklaratës të Parlamentit Evropian dhe të Rezolutës 1481 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 26 janarit 2006, ku flitet për nevojën e dënimit të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” vazhdon deklarata e Konferencës Ipeshkvnore Sllovene.







All the contents on this site are copyrighted ©.