2009-08-21 17:45:33

Afganistani një ditë pas zgjedhjeve, të dy rivalët shpallin fitoren.


(21.8.2009 RV)Që të dy shtabet zgjedhore, ai presidentit Hamid Karzai si edhe ai i rivalit të tij, ish-ministrit të jashtëm Abdullah Abdullah pretendojnë se kanë marrë shumicën e votave në zgjedhjet e djeshme presidenciale. Din Muhamed, organizatori i fushatës së Karzait deklaroi se rezultatet fillestare tregojnë se presidenti ka marrë shumicën e votave dhe se nuk do ketë nevojë për balotazh. Por, një zëdhënës i sfiduesit kryesor të Karzait deklaroi se shumicën e votave e ka marrë Abdullah, rivali i Karzait. Nga ana tjetër komisioni zgjedhor nuk pranon të japë asnjë deklaratë në pritje të rezultateve zyrtare të 17 shtatorit, në një kohë kur vetëm dje pati rreth 100 denoncime për manipulime. Por tani, pritet që së shpejti të bëhen të njohura shifrat e pjesëmarrjes në votime, të rëndësishme këto për të përligjur qeverisjen e cilido prej fituesve të mundshëm. Sidoqoftë, të gjithë janë pak a shumë të mendimit se pjesëmarrja nuk ka qenë edhe aq e lartë për shkak të kërcënimeve të talebanëve, megjithëse këto kërcënime nuk kanë ndikuar kudo njëlloj. Për shembull, në provincën e Konarit pjesëmarrja e grave në votime ka qenë shumë më e lartë nga ç’pritej.
Edhe pse në përgjithësi talebanët dështuan, sulmet e tyre nuk reshtën as dje. Mbrëmë, pas mbylljes së qendrave të votimit, terroristët sulmuan në Mazar-i-Sharif një kamion që transportonte kutitë e votimit duke vrarë një nga shoqëruesit e kamionit.







All the contents on this site are copyrighted ©.