2009-08-20 16:37:26

Çelësi i fjalëve të Kishës: sot fjala “Liri” (emisioni IX).


(20.08.2009 RV)RealAudioMP3 Në Letrën e Shën Palit Apostull drejtuar romakëve thuhet: “Vetë krijesa ka shpresë të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit, për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit” (Rom 8,20-21). Në këtë emision, të dashur dëgjues, do t’ju njohim me kuptimin e krishterë të fjalës “liri”.

 
Në Bibël, flitet që në fillim për lirinë. Njeriu vendoset pranë pemës së njohjes të së mirës e së keqes dhe është i lirë ta marrë gjykimin mbi të mirën e të keqen nga Zoti, ose të vendosë vetë për to. Kapitulli II dhe III i Librit të Zanafillës përshkruan pasojat e lavdishme, por edhe të tmerrshme të lirisë, në varësi të sjelljes së njeriut.
Më pas, në Librin e Daljes, me çlirimin e hebrenjve nga skllavëria e Egjiptit, liria nuk është thjesht një akt historik, por edhe akt feje, që ka të bëjë me shëlbimin e njeriut nga Zoti. Prandaj, Hyji është Zot çlirimtar, që e do lirinë dhe rreshtohet në anën e atyre që nuk e kanë këtë dhuratë themelore. Gjendja e popullit para kësaj përvoje fetare është, atëherë, ajo që përshkruhet në Librin e Ligjit të Përtërirë: “Ju vë para sot bekimin dhe mallkimin…Ju vë para jetën e lumturinë, por edhe vdekjen e mjerimin” (11,26; 30,15).
E një dijetar biblik, Siracidi, do të thellohet më tej: “Hyji qysh në fillim e krijoi njeriun, e la në dorë të vullnetit të lirë dhe e lëshoi në dorë të dëshirimit të vet… Nëse do t’i mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë; nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh… Para njeriut jeta e vdekja, e mira dhe e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i jepet” (15, 14-18). Zoti nuk është thjesht noter apo gjykatës i vemdimeve njerëzore. Ndërhyn këtu Hiri hyjnor që e mbështet njeriun në opcionin për të mirën, por nga ana tjetër kemi edhe tundimin djallëzor drejt së keqes. Jezusi i tunduar është emblema e personit të lirë, që vendos për të vërtetën dhe të mirën.
Përvijohet kështu një liri me natyrë krejtësisht shpirtërore. Ky koncept është i pranishëm edhe në Ungjillin e Shën Gjonit, ku lexohet fraza e famshme: “E vërteta do t’ju bëjë të lirë” (8,32). Këtu, e vërteta nuk është ajo filozofike, por zbulesa e Krishtit. Jemi para lirisë së brendshme për ta pranuar plotësisht misterin e Zotit dhe vullnetin e tij. Shën Pali e konsideron këtë si çlirim nga Ligji i normave të jashtme, që në të vërtetë vënë në pah vetëm dobësinë njerëzore. Krishti na ofron një liri, që është bashkim i gëzueshëm e jetësor me ligjin e Shpirtit Shenjt: “Zoti është Shpirt, e aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria” (2Kor 3,17).ù
Jemi pra në praninë e një lirie që lulëzon nga shndërrimi i rrënjësishëm i njeriut, në sajë të Hirit Hyjnor. Pasi bëhen bij të Zotit përmes Pagëzimit, të çliruar nga rregullat e thata të Ligjit, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, besimtarët zgjedhin lirisht rrugën e drejtësisë e të dashurisë, duke këputur zinxhirin e skllavërisë së mëkatit. Kjo është liria e lavdisë së bijve të Hyjit. Është një liri, që duhet jetuar me impenjim, pa shkandull për të tjerët, siç thekson Shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Galatasve: “Vërtet vëllezër, jeni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si do trupi, por, me dashuri, shërbejini njëri-tjetrit” (Gal 5,13).







All the contents on this site are copyrighted ©.