2009-08-20 16:37:13

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “E urrej publicitetin!”


(20.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e shtatëmbëdhjetë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, e Lumja vijon të na çuditë. Duke shkuar krejtësisht kundër rrymës, na bind se e urren publicitetin. Se nuk i pëlqejnë zhurmat e çmimet, letrat e falënderimet. Në se i ka pranuar e i pranon, këtë e bën vetëm pse u shërbejnë të varfërve, në emër të tyre.
Këtë thekson Nënë Tereza në shekullin e publicitetit, duke na treguar edhe si e priti lajmin se ishte vlerësuar me “Çmimin Nobel për Paqen”:

"Në se do të shkoj në qiell, kjo do të ndodhë falë vuajtjes, që më shkakton publiciteti.
Ju siguroj: urrej shumë pak gjëra, po këtë e urrej me gjithë zemër.
Kujt i shërben potera, që bëhet rreth nesh?
Ka edhe shumë të tjerë, që kryejnë punë të ngjashme me tonën. Madje ndoshta e bëjnë edhe më mirë.
Atëherë, pse të na zënë kaq shumë në gojë pikërisht ne?
Një mëngjes marrim një telefonatë nga qeveria e Nju Delhit. Dëgjojmë një zë që na thotë:
“Urime Nënë, keni fituar Çmimin Nobel për Paqen”.
Thashë me vete: “Qoftë për lumni të Zotit!”.
Po çudia erdhi më pas: në pak ditë morëm një mal me telegrame nga presidentë, kryeministra, prijës të shteteve, nga të katër anët e botës.
Na erdh një edhe nga presidenti Tito e, çudi, në këtë kor nuk mungoi as qeveria komuniste kineze.
Nuk meritoj kurrfarë çmimi e, personalisht, nuk dëshiroj çmime.
Në se kishte diçka që më kënaqi, ishte se populli norvegjez njohu ekzistencën e të varfërve.
Duke ma dhënë mua këtë Çmim, ia dhanë të gjithë atyre që, në të katër anët e botës, u shërbejnë të varfërve më të varfër, duke përhapur mes njerëzve dashurinë e Zotit.
Ndodhesha në Kaligat, në shtëpinë e njerëzve në prag të vdekjes, ditën kur më erdhi lajmi i Çmimit Nobel për Paqen.
Duke u kthyer në shtëpi, e gjeta tremen përplot me fotografë e gazetarë.
I pyeta pse ishin grumbulluar aty.
Më thanë se kishin vrapuar menjëherë pas lajmit, ardhur nga Norvegjia, se më kishin dhënë Çmimin Nobel për Paqen.E ia filluan të më bënin fotografi.
Pasaj nisën të vinin njerëz të të gjitha llojeve, të varfër e të pasur. E telegrame. E letra. Çdo ditë më shumë. Një herë, tetëdhjetë… Akoma e akoma e akoma... Ah, në se ka diçka që e urrej vërtetë, ky është pikërisht publiciteti!".







All the contents on this site are copyrighted ©.