Në Afganistan përfunduan sot votimet në një atmosferë tepër të acaruar nga sulmet
e talebanëve.
(20.08.2009 RV)Në Afganistan përfunduan
sot votimet në një atmosferë tepër të acaruar nga sulmet e talebanëve.Nga to do të
dalë presidenti i ri si edhe do të zgjidhen përfaqësuesit e 34 parlamenteve të provincave.
Në mëngjes presidenti Hamid Karzai i bëri thirrje popullit afgan që të mos ketë
frikë nga kërcënimet e talebanëve dhe ta shprehë mendimin e tij me anë të votës së
lirë. “Megjithëse sot paradite pati disa sulme, votuesit shprehën dëshirën e tyre
për të votuar” - tha për shtypin zëdhënësi i misionit të OKB-së për Iranin Alem Sidike.
Rezultatet e votimeve do të bëhen të njohura pas 17 shtatorit, kur komisioni që shqyrton
manipulimet do të shpallë zyrtarisht përfundimet. Po cila ishte në të vërtetë situata
sot në vend? Në mikrofonin tonë flet Simona Lanxoni e fondacionit “Pangea Onlus” që
promovon shumë projekte për zhvillimin e popullit afgan:
Përgjigje: Populli
është mjaft i terrorizuar nga kërcënimet e talebanëve por edhe i shqetësuar nga gjendja
politike tepër e nderë që mbretëron jo vetëm në Kabul, por në të gjithë Afganistanin.
Pyetje:
Pra, është një atmosferë që ndikoi në ecurinë e votimeve?
Përgjigje: Patjetër
që po. Mos të harrojmë se dhjetë ditët e fundit talebanët kërcënuan seriozisht të
gjithë popullatën, veçanërisht në jug, nëpër xhami, me anën e fletushkave, nëpërmjet
mesazheve me radio duke hyrë në frekuencat e radiove të tjera por edhe duke përhapur
fjalë se do t’ia presin gishtin atyre që do ta kenë të ngjyrosun me bojën e votimit.
Flitet pastaj edhe për manipulime të votimeve si në veri ashtu edhe në jug.
Megjithatë
duket se votimet shkuan më mirë nga ç’pritej. Në jug pjesëmarrja qe e lartë ndërsa
në veri dhe në perëndim erdhi duke u rritur dalëngadalë. Sidoqoftë edhe sot nuk pati
qetësi. Në Kabul policia vrau dy talebanë si edhe arrestoi dy kamikaze. Por ç’i karakterizoi
këto votime? Kësaj pyetjeje i përgjigjet Atë Xhuzepe Moreti, përgjegjës për bashkësinë
katolike ndërkombëtare në Afganistan:
Përgjigje: Populli afgan është i
zgjuar, krenar dhe i zgjuar. Është i vetdijshëm se kanë ardhur ndihma të shumta nga
jashtë dhe pyet se ku kanë përfunduar ato. Së dyti, pastaj shumica e popullsisë është
ende pa ujë, pa energji elektrike, me rroga të ulta, ka papunësi, domethënë ka pakënaqësi.
Pakënaqësi, pra, sepse nuk janë realizuar shumë nga premtimet e bëra.