Atentate të tjera në Irak. Imzot Varduni: pas ferrit të Bagdadit fshihen tregtarët
e armëve.
(20.08.2009)Përsëri atentat sot në Bagdad pas atyre të djeshmeve që shkaktuan
95 të vdekur dhe 450 të plagosur. Një biçikletë me bombë shpërtheu duke lënë dy të
vdekur dhe tetë të plagosur në kryeqytet. Ndërkaq bashkësia ndërkombëtare dënoi njëzëri
sulmet e djeshme kundër ministrive në “Zonën e Gjelbër” të Bagdadit. Imzot Shlemon
Varduni, ipeshkëv ndihmës i Kaldejve flet në mikrofonin e radios sonë për dëshpërimin
që ka mbërthyer qytetarët:
Përgjigje: Ndoshta ferri dëshiron të ndërrojë vend
dhe të vijë në tokë sepse janë njerëzit ata që e krijojnë ferrin. Nuk di ç’të them.
Kemi mbetur pa fjalë me shikimin nga qielli. Njerëzit janë shtangur nga tmerri i atentateve
të ditëve të fundit.
Pyetje: Kanë përshtypjen se është kthyer edhe një herë
lufta.
Përgjigje: Po, ashtu është sepse brenda një dite pati gjashtë bombardime,
gjashtë autobomba dhe raketa aq sa u vranë disa dhjetra qytetarë dhe u plagosën më
shumë se 400 a 500 vetë. Ah çfarë shkatërrimi!...Kush donte të shkonte në punë tani
nuk shkon më. Edhe ata që duan të shkojnë në shkollë pisk do ta kenë sikurse edhe
ata që duan të shkojnë në kishë.
Pyetje: Imzot Varduni, po a mund të kesh
besim tek autoritetet dhe policia në këto kushte?
Përgjigje: Ç’besim tek autoritetet
kur terrorizmi bredh i lirë nëpër rrugë! Ç’besim tek bota, e unë po flas për mbarë
botën! Ç’po bëjnë për t’i parandaluar këto akte terroriste? Kombet që prodhojnë armë,
çfarë po bëjnë? A nuk fshihen ato pas gjithë këtyre akteve terroriste? Pse, armët
nga vijnë? Këto autobomba nga vijnë? Është dikush që i prodhon dhe i shet.