2009-08-19 17:46:50

Çelësi i fjalëve të Kishës: “Shën Pjetri Apostull"( emisioni VIII)


(19.08.2009 RV)RealAudioMP3 Në emisionin e sotëm, do t’ju flasim për “Pjetrin”, i cili është apostulli që mban çelësin e Parrizit, siç njihet në popull, por është edhe diçka tjetër. Ta shikojmë sëbashku…

Shën Pjetri Apostull citohet me këtë emër 154 herë në Besëlidhjen e Re, 27 herë të tjera shfaqet me emrin e tij fillestar, Simon dhe 9 herë me fjalën aramaike Kefa, Çefa, që do të thotë “gur-shkëmb” e që ia pati vënë Jezusi. Ungjijtë tregojnë për thirrjen e tij, për ndjekjen e Jezusit, për mohimin e Krishtit, por edhe për rehabilitimin e tij të mëvonshëm. Në pjesën e parë të Veprave të Apostujve, Pjetri është ndërmjetësuesi mes bashkësisë judeo-kristiane dhe asaj pagane; konsiderohet nga Shën Pali si një nga “shtyllat” e Kishës, pavarësisht se nuk është dakord me të për të gjitha çështjet; është, pas grave, dëshmitari i parë zyrtar i Ngjalljes së Krishtit. Ka shkruar dy letra, që përfshihen në Bibël.
Apostulli pra, nuk është vetëm një personazh historik i rëndësishëm në Kishën e fillimeve të krishterimit, por është edhe një figurë e vërtetë teologjike, që meriton një shqyrtim më vete. Këtë rëndësi ia ka dhënë vetë Jezu Krishti në një rast të veçantë, të interpretuar në mënyra të ndryshme nga Kishat e krishtera, por që nga katolicizmi konsiderohet baza e padiskutueshme për primatin petrin e për pasojat që sjell në trashëgiminë apostolike romake. Fraza e Ungjillit sipas Mateut (16,17-19), që përmbledh deklaratën e Krishtit, bazohet mbi tre simbole. I pari është “guri”, shenjë tipike e Besëlidhjes së Vjetër për të treguar qëndrueshmërinë, dhuratë hyjnore: “Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time”. Misioni i Apostullit është pra ta bëjë të dukshme në histori bazën trashendentale ku mbështetet Kisha, gurin e këndit, që është Krishti Zot.
“Çelësat” përbëjnë simbolin e dytë për të përshkruar funksionin e Pjetrit: “Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit”. Ato përfaqësojnë pushtetin për të qeverisur shtëpinë, qytetin, mbretërinë, por edhe aftësinë e interpretimit të një teksti. Atëherë, Pjetri ka jo vetëm autoritet juridik, por edhe atë të mësimit të një bashkësie kishtare.
Së fundi, simboli i tretë është pikërisht një koncept juridik: “lidhja dhe zgjidhja”, në judaizëm, tregon pa dyshim pushtetin për të falur mëkatet në emër të Zotit, por shtrihet edhe në funksionin e këshillimit e të formimit të besimtarëve, mision ky i Kishës. Kjo është pjesa e Ungjillit të Shën Mateut, ku profilizohet shërbimi i Shën Pjetrit në bashkësinë e krishterë dhe si pasojë, ai i papëve, pasardhës të Apostullit.








All the contents on this site are copyrighted ©.