2009-08-19 17:48:24

Kremtohet për herë të parë “Dita Botërore Humanitare”.


(19.08.2009 RV)RealAudioMP3 Sot për herë të parë u kremtua “Dita Botërore Humanitare” në nder të të gjithë veprimtarëve dhe anëtarëve të Kombeve të Bashkuara që kanë humbur jetën në luftra apo në fatkeqësi natyrore. Sot bie edhe përvjetori i bombardimit të Zyrës së OKB-së në Bagdad në gusht 2003, ku humbën jetën 21 veprimtarë të OKB-së si edhe Komisari i Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm për Irakun Serxho Viejra de Mejo.
Po sot, cili është roli i atyre që ndihmojnë popullsitë në zonat me rrezikshmëri të lartë? Në mikrofonin tonë flet Françesko Roka, komisar i jashtëzakonshëm i Kryqit të Kuq italian:

Përgjigje: Është roli i përditshëm, i heshtur që luajnë me mijëra veprimtarë në të gjithë botën, në të gjitha zonat ku ka kriza. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë, sepse prania e tyre në shumë situata ndihmon në zbutjen e tensioneve të cilat pastaj shpeshherë na duhet t’i përballojmë, brenda, në shtëpinë tonë. Pra të mbështesësh veprimtarët humanitarë do të thotë të ndihmosh edhe jetën tonë të përditshme.

Pyetje: Në 2008 janë vrarë 122 veprimtarë ndërsa para dhjetë vjetësh numri i tyre ishte vetëm 36. Këto janë të dhëna që u bënë publike nga vetë OKB- ditët e fundit…

Përgjigje: Ne si Kryq i Kuq kemi si stemë Kryqin e Kuq por edhe Gjysmëhënën e Kuqe, të njohura në të gjithë botën, por vitet e fundit po vërejmë se respekti ndaj Konventave ndërkombëtare sa vjen e shteron më tepër. Stema e Kryqit të Kuq është një simbol mbrojtjeje për ata që vuajnë, por vitet e fundit kemi vënë re se në shumë situata konfliktesh nuk po respektohet as ky simbol mbrojtjeje dhe kjo është ajo çka na shqetëson më tepër e më.







All the contents on this site are copyrighted ©.