2009-08-19 17:46:01

Imzot Zhan-Lui Brygès: seminaret të jenë “shkollat e lumturisë" për meshtarët.


(19.08.2009 RV)RealAudioMP3 Në përfundim të Vitit meshtarak mund të botohet një tekst i shkurtër dhe shumë i qartë mbi formimin e kandidatëve për meshtari. Nisma po studjohet nga Kongregata për Edukimin Katolik e cila ka ndërmend të propozojë gjatë muajve të ardhshëm thirrjen e Komisionit Ndërdikasterial të Përhershëm për formimin e kandidatëve për meshtarë. Kështu u shpreh sekretari i këtij dikasteri vatikanas, kryeipeshkvi Zhan-Lui Brygès në një intervistë dhënë gazetës “L’Osservatore romano”. Mes tjerash prelati nënvizon rëndësinë e jashtëzakonshme të edukimit në misionin e Kishës.

Veprimtaria edukuese e Kishës ndihmon në vlerësimin e diturive dhe të kulturës, duke shkrirë bashkë përpjekjet pedagogjike me formimin e gjithanshëm të individit. “Një formim i mirë – shpjegon Imzot Zhan-Lui Brygès – është ai që i përshtatet zhvillimeve dhe ndryshimeve të shoqërisë”. Por në shoqëritë e shekullarizuara, vë në dukje prelati, ka rrezik të harrohet përmasa shpirtërore. Në Itali edhe pse shoqëria është shekullarizuar, Kisha ka ditur “të mbetet e pranishme në jetën shoqërore ashtu sikurse edhe në jetën politike”. Ka pastaj vende, kryesisht në Afrikë dhe në Amerikë Latine, ku roli i meshtarëve del në plan të parë. Meshtari në rolin e tij të ndërmjetësuesit mes Qiellit dhe Tokës vepron si mëkëmbës i Krishtit dhe është në shërbim të bashkësisë së krishterë të Kishës dhe të shoqërisë. Prej këndej, shton Imzot Brygès, duhet që seminari të jetë një shkollë ku të shkëlqejë “lumturia” dhe “gëzimi” i të qenit meshtar.
Në këtë intervistë prelati uron që “bashkësia e besimtarëve të ndjehet përgjegjëse për meshtarin që e udhëheq”. Në fund, duke kujtuar rëndësinë e edukimit si “kusht i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë, për luftën kundër korrupsionit, për ushtrimin e të drejtave politike dhe shoqërore”, Imzot Brygès tregon dy rrugë. Për t’i bërë akoma më frytdhënëse përpjekjet pedagogjike ka nevojë për “shpirtmadhësi” dhe “arsyetim të shëndoshë” ndaj brezave të rinj. Tek to duhet të dallojmë atë çka duhet të inkurajohet nga ajo që duhet të qortohet.








All the contents on this site are copyrighted ©.