2009-08-18 16:43:17

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: "Në Afrikë e në SHBA”.


(18.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e pesëmbëdhjetë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes, Rregulltarja e madhe na flet për misionet e saj në dy skaje të botës: në Afrikën e varfër e në Shtetet e pasura të Bashkuara të Amerikës, gjithnjë duke kaluar nëpër mjerimin e Kalkutës:

“Në Tanzani, Misionaret e Bamirësisë vijojnë me zell të madh e pa pengesa misionin e tyre të përditshëm.
Shumë vajza të reja po ecin në rrugën tonë rregulltare.
Hapëm, prandaj, një noviziat në Tabora.
Po na ftojnë edhe në Sudan: si kryeipeshkvi, ashtu edhe delegati apostolik.
Duan që të hapim dy shtëpi: një në Khartum e një tjetër, në Vau.
Në SHBA njerëzit janë shumë bujarë me veprën tonë.
Kemi këtu edhe shumë dëshirtare e rishtare të kësaj kombësie.
Gjatë kohës së rishtarisë duhet të shkojnë në Romë. Duhet të dalin nga vendi i tyre i begatë e të shikojnë diçka më tepër nga bota e madhe, ku ka kaq shumë larmi: varfëri e pasuri; lumturi e mjerim; të të gjitha natyrave!
Sigurisht në Romë kemi edhe tani motra që vijojnë vitin e tretë të përgatitjes, terciatin, apo Tertians, siç e quajmë ne. Janë në prag të kushteve të përjetshme.
Unë dua të kalojnë edhe nëpër Kalkutë: gjashtë muaj në Romë e gjashtë në Kalkutë.
E edhe disa nga motrat e Kalkutës duhet të shkojnë në Romë gjatë terciatit, për një lloj shkëmbimi personal.
Të gjitha duhet të kalojnë nga Kalkuta.
Pse i hapim shtëpitë?Zoti na dhuron vazhdimisht thirrje të reja, e kjo do të thotë se dëshiron ta vijojmë punën për Kauzën e Tij nëpër shtigjet e botës, nga Afrika - në SHBA, nga vendet më të varfëra - në ato më të pasurat, gjithnjë duke kaluar nëpër Kalkutë, shkollë ku jepen mësimet më të rëndësishme, që të përgatisin t’i shërbesh me gjithë vetveten Zotit ndër të varfërit më të varfër".







All the contents on this site are copyrighted ©.